Nuk ka zjarre aktive në territorin e Maqedonisë

  • 9 years ago
Vihet nën kontroll zjarri i fundit i lokalizuar në fshatin Çajlan të Komunës së Sarajit. Autoritetet kishin marrë masa të shpejta për shkak të kërcënimit që përbënte ky zjarr për parkun kombëtar 'Jasen'. Zv/drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Ekrem Zendeli thotë se zjarret e fundit të regjistruara në vend janë shuar, me disa pasoja; disa hektarë pyll të shkrumbuar. Ai gjithashtu tha se drejtoria e tij, në bashkëpunim me zjarrfikësit, kanë arritur që të parandalojnë edhe zgjerimin e vatrave të tjera të mundshme.

"Nuk kemi zjarre të natyrës më të madhe në hapësira të hapura, të përfshirë ndonjë mal ose kodër por dje patëm zjarre në disa lokacione edhe atë një ishte në Komunën e Sarajit i cili ishte mbi fshatin Çajlanë d.m.th ishte zjarr shumë i rrezikshëm që mundej të depërtojë deri tek parku nacional 'Jasen' mirëpo me intervenim të shpejtë edhe të aeroplanëve që aktivizuam dje por edhe të zjarrfikësve të vetë parkut nacional, zjarri u lokalizua dhe sot vetëm po bëjmë kujdestari tek vendi i atij zjarri që mos të ndodh ndonjë përhapje e pakontrolluar", tha Ekrem Zendeli, zv/drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Edhe nga Qendra për Menaxhimin e Krizave thonë se zjarri i fundit në Çajlanë të Shkupit u shua gjatë orëve të para të mëngjesit, dhe nuk përbën më rrezik për hapje vatre të re.

"Për momentin, në Maqedoni ka vetëm një zjarr aktiv edhe atë në fshatin Çajlanë të komunës së Sarajit, i cili siç na informuan nga qendra operative e Qendrës sonë, para pak kohësh edhe ky zjarr është lokalizuar dhe atje për momentin po ndërhyhet nga ana e ekipeve të Qendrës për Menaxhimin e Pyjeve 'Karaxhica' dhe punonjësit e parkut kombëtar 'Jasen'. Në zjarrin që shpërtheu dje, në Çajlanë u përfshi bari i tharë dhe shkurre në afërsi të Jasenit", deklaroi Nadica Vëçkova, zëdhëdhënse e Qendrës për Menaxhim me krizat.

Gjatë këtij viti, që nga përfshirja e vendit nga temperaturat e larta, numri i përgjithshëm i zjarreve të regjistruar ka arritur në 200. Sipas autoriteteve, zjarret kanë qenë të përmasave të vogla. Siç mësohet, për këtë vit, zjarri më i madh i regjistruar në hapësirë të hapur ishte ai në afërsi të poligonit ushtarak Krivollak, i cili u shua disa ditë më parë. Krahasuar me një vit më parë, deri tani janë regjistruar një numër më i vogël zjarresh. Në vitin 2012, deri në këtë periudhë ishin regjistruan 483 zjarre të mëdhenj, të cilat shkrumbuan 10 mijë hektar pyje dhe shkaktuan një dëm mbi 200 milion denarë. Valmir Kuçi

Recommended