Ulen dënimet për mos plotësimin e ditarit elektronik

  • 9 years ago
Me fillimin e vitit të ri shkollor, mësimdhënësit nuk do të jenë të obliguar që për çdo ditë të plotësojnë ditarin elektronik, por një gjë të tillë duhet ta bëjnë vetëm në fundjavë. Me ndryshimet në ligjin për Inspektoratin e arsimit do të ulen edhe dënimet për mësimdhënësit të cilët nuk i plotësojnë ditarët elektronik, nga 1 mijë euro sa ka qenë deri tani në 300 euro. Zëdhënësi i Qeverisë Alekasandar Gjorgjiev tha se këto ndryshime erdhën si rezultat i një dialogu social midis Qeverisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së punëtorëve të arsimit.

"Ky vendim i Qeverisë përmirëson pozitat e mësimdhënësve pasi që derisa në ndonjë rast, për shkaqe objektive një mësues nuk mund të plotësojë ditarin elektronik gjatë ditës, atë do të mund ta bëjë ditën tjetër, ose deri në fundjavë e cila llogaritet si afat i fundit që të plotësohet ditari elektronik dhe në këtë mënyrë mos të përballet me sanksione nga ana e inspektoratit", tha Aleksandar Gjorgjiev, zëdhënës i Qeverisë.

Ndryshimet në mënyrën e plotësimit të ditarit elektronik erdhën si pasojë e reagimeve të shumta nga të gjitha shkollat në vend për mos funksionimin e sistemit dhe problemet shtesë që janë paraqitur në fund të vitit shkollor. Valmir Kuçi

Recommended