Skip to playerSkip to main content
  • 11 years ago
Tenda në qendër të qytetit, bredha në saksi dhe trafik i bllokuar. Kjo është fotografia që mund të shihet në vendin ku deri para dy ditësh gjendej parku afër hotel "Bristol". Trafiku është ndaluar në njërën prej rrugëve më frekuentuese të Shkupit, ndërsa rreth parkut akoma shihet prani e madhe e policisë. Qetësia në këtë lokacion vjen pas protestave të mbrëmshme të qindra qytetarëve të cilët shprehën revoltën e tyre kundër shkatërrimit të parkut.

Ndërkohë, gjatë prezantimit të punës së tij në 100 ditshin e parë në Komunën Qendër, kryetari Andrej Zhernovski është ndalur të flasë edhe për parkun. Ai shpjegoi se në aspektin ligjor Komuna Qendër nuk mund të bëjë asgjë, pasi me vendim të këshillit të mëparshëm dhe ish kryetarit të Qendrës Todoroviq, kompetencat i janë bartur Qeverisë.

"Për sa i përket pjesës ligjore, puna është kryer para se të vij unë, fatkeqësisht. Udhëheqësia e mëparshme e Komunës në periudhën e njëjtë të natës kur u bë ky krim, u prenë edhe drunjtë tek hoteli "Bristol", Plani Detal Urbanistik u soll rreth orës 4 të mëngjesit. Prej atëherë e gjithë puna është në duart e pushtetit qendror, ky brez i Komunës Qendër është nën kompetencë e drejtpërdrejtë e pushtetit qendror, konkretisht të Ministrisë për Transport dhe Lidhje, dhe Komuna Qendër nuk mund të bëjë asgjë", tha Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.

Është prononcuar edhe Qeveria, e cila ka mbrojtur vendimin për prerjen e parkut dhe ndërtimin e objektit për Këshillin Radiodifuziv, pasi sipas tyre kështu do të kursehen miliona euro të qytetarëve që deri tani shkonin për qiranë e Këshillit Radiodifuziv.

"Ky organ shtetëror, Këshilli për radiodifuzion, deri tani, në periudhën 10 vjeçare ka paguar 3 milion euro për qira që kanë shkuar në xhepa privat. Tani, me ndërtimin e këtij objekti kjo nuk do të më, paratë shtetërore nuk do të derdhen në xhepa privat, por institucionet do të kenë objekte të veta. Madje, paratë që do të shpenzohen për ndërtimin e këtij objekti do të shkojnë për kompanitë ndërtimore, që do të sigurojë punësim të punëtorëve ndërtimorë", u shpreh Aleksandar Gjorgiev, zëdhënës i Qeverisë.

Për të diskutuar rreth çështjes së shkatërrimit të parkut në afërsi të hotelit Bristol, Këshilli i Komunës Qendër të mërkurën do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Benjamin Arifi

Category

📺
TV

Recommended