Samaras udhëton në SHBA, do të bisedohet për emrin

  • 9 years ago
Kryeministri grek Antonis Samaras është nisur drejt SHBA-së për vizitën tre ditore të shumëpritur e cila do të kulmojë me takimin me presidentin amerikan Barak Obama. Ky kontakt pritet të shfrytëzohet për të rikthyer kredibilitetin grek, si dhe për të diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me politika ekonomike dhe të jashtme, shkruan gazeta greke "Kathimerini'. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që Washingtoni zyrtar të shtrojë në tryezë edhe çështjen e emrit. Mediat greke prej kohësh spekulojnë madje se Obama do të ushtrojë presion mbi Samarasin që të pranojë propozimin "Maqedonia e Epërme". Nga ana tjetër, burime nga qeveria greke, e shohin takimin Samaras-Obama si një votëbesim të kryeministrit grek nga SHBA-ja, në kohën kur koalicioni qeveritar në Athinë është nën presione të fuqishme. Edhe burime nga Shtëpia e Bardhë, i kanë thënë "Kathimerinit" se SHBA-ja beson se qeveria e Samarasit po punon fuqishëm në ruajtjen e stabilitetit të saj, dhe bërjen ballë të sfidave. Bisedimet vijnë disa ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se Greqia mund të dojë edhe 11 miliardë euro për të dalë nga kriza e borxheve. Sekretari amerikan i thesarit Jack Lew vizitoi Athinën në 21 korrik ndërkohë që programi grek i rimëkëmbjes pritet të jetë gjithashtu një nga temat kryesore të bisedimeve mes Samarrasit dhe Obamës. Megjithatë në agjende gjendet edhe çështjet diplomatike, përfshi edhe protestat në Turqi, Egjipt dhe Siri. Një tjetër çështje bisedimi do të jetë edhe politika e energjisë. SHBA-ja thuhet se është e lumtur nga marrëveshja e fundit e Gazsjellësit Trans-Adriatik që do të përçojë gazin natyror nga Azerbajxhani drejt Europës Perëndimore, përmes Greqisë. Burime të Shtëpisë së Bardhë thanë se pritet që kompani amerikane dhe europiane të tregojnë interes për blerjen e kompanisë monopoliste të gazit DEPA pas përpjekjes për t'ia shitur kompaninë gjigantit rus Gazprom këtë verë. Përveç takimeve me Obamën, Samaras do të takohet edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, krye-bashkiakun e Nju Jorkut Majkëll Bloomberg, kreun e Komitetit amerikano-hebraik David Harris, biznesmenë të fuqishëm greko-amerikan etj. Në një intervistë për gazetën Ta Nea, një ditë më parë në Athinë, Samaras mohoi se po e përgatit vendin për zgjedhje në vjeshtë, por gjithsesi, tha se nuk e mohonte kategorikisht këtë mundësi. Semra Jakupi