Osmani: Formati i ri i bisedimeve, opsioni i vetëm i zgjidhjes

  • 9 years ago
Ndryshimi i formatit të bisedimeve mes Shkupit dhe Athinës, u mirëprit edhe nga partia e Ahmetit. Nga BDI thanë se nisma e Gurevskit përputhet plotësisht me kërkesën e kësaj partie për të cilën insiston prej kohësh. Sipas BDI-së ngritja e nivelit të negociatorëve në ekipe pune të udhëhequra nga kryeministrat e dy vendeve paraqet formulën e vetme për zgjidhjen përfundimtare të problemit të emrit. Nga partia e Ahmetit konsiderojnë se vetëm përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe me një ndërmjetësim të fuqishëm ndërkombëtar mund të marrë fund kontesti 20 vjeçar mes Shkupit dhe Athinës.

"Ne konsiderojmë se kjo është krejtësisht në vijë me thirrjet tona gati të përditshme për dialog të drejtpërdrejtë mes palëve, për uljen e palëve në tavolinë në bazë të propozimit të z.Nimic dhe me ndërmjetësimin e drejtpërdrejtë dhe intensiv ndërkombëtar. Ne e shohim kotësi formulë të vetme për zgjidhur një kontest i cili duket se është i ndërlikuar i ngarkuar me emocione dhe po zgjat diku rreth 20 vite. Janë provuar të gjitha mekanizmat e tjerë mirëpo dialog të drejtpërdrejtë nuk ka pasur deri më tani", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Nga BDI presin që kjo nismë të mirëpritet edhe nga pala greke, ndërkaq konsiderojnë se rëndësi kyçe në këtë drejtim do të ketë takimi Obama -- Samaras. Nga kjo parti thanë se janë dijeni madje se çështja e emrit do të jetë një nga çështjet kryesore në këtë takim dhe se pritet që Uashingtoni zyrtar të ushtrojnë presion mbi palën greke për një angazhim më të madh në zgjidhjen e problemit të emrit. Megjithatë për BDI-në, Maqedonia duhet të jetë më aktive dhe më këmbëngulëse në këtë proces pasi pikërisht kjo çështje lë peng integrimet e vendit.

"Ne jemi ata që jemi të interesuar të futemi në NATO dhe BE, dhe jo pala greke. Prandaj ne duhet të jemi ata që duhet të jemi proaktiv, të nxisim debatin, të kërkojmë dialog. Por shpresojmë shumë nga faktori ndërkombëtar që të bëjnë presionin e vet edhe te pala greke që të ulen dy kryeministrat në një tavolinë në bazë të shembullit Prishtinë --Beograd dhe të gjendet një zgjidhe përfundimtare në këtë 6 mujor", u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Partitë e tjera politike akoma heshtin rreth nismës së Gruevskit për ndryshimin e formatit të bisedimeve rreth emrit, e cila nga nja pjesë e ekspertëve vendas nuk shihet shpresëdhënëse meqë Greqia tani më siç vlerësojnë ata, nuk beson në lojërat e Gruevskit. Semra Jakupi

Recommended