TIRANE- Duhej të hynte në fuqi që nga 1 korriku, por një vendim i dytë e ka shtyrë aplikimin e shenjimit të karburanteve të territorin e Republikës së Shqipërisë dukë nisur nga 1 gushti. Aktualisht, benzina, nafta dhe mazuti, etj nënprodukte të naftës duhet të tregtohen vetëm pasi të jenë shenjuar me një bojë të posaçme, për çka u është dhënë e drejtë ekskluzive vetëm dy kompanive të huaja.
Qeveria vendosi më parë shtyrjen me një muaj të afatit për nisjen e procesit të shënjimit të naftës bruto dhe të nënprodukteve të saj. Vendimi i parë përcaktonte si afat për nisjen e procesit datën 1 korrik, por, për shkak të vështirësive të hasura, qeveria ka përcaktuar si afat të ri datën 1 gusht. Që prej ditës së djeshme, teorikisht në të gjitha pikat e prodhimit dhe të tregtimit të karburanteve duhet të vendoset lënda ngjyruese, që dëshmon se produkti që tregtohet nuk është kontrabandë dhe se është brenda standardeve.
Udhëzimi që përcakton procedurat e këtij procesi vendos si detyrim për të gjithë tregtuesit marrjen e këtij shërbimi, pasi përndryshe nuk do të mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Nga nisja e këtij procesi, tregtimi i naftës dhe i nënprodukteve të saj të pashënjuara do të cilësohet kontrabandë dhe si rrjedhojë do të sjellë penalizimin e përgjegjësve. Faza e parë e shënjimit të karburanteve pritet të përfundojë në muajin tetor, ndërsa më pas veprimtaria e koncensionarit do të vijojë rregullisht në vendndodhjet e përcaktuara në udhëzim, ku përfshihen pikat doganore, rafineritë apo depozitat vendase.
Procesi i ngjyrosjes së karburanteve pritet të ketë një kosto të konsiderueshme për bizneset e këtij sektori. Për çdo 1 mijë litra të markuara, duhet paguar një tarifë plus 614 lekë, pa llogaritur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Shtimi i kostos për bizneset e këtij sektori pritet të reflektohet edhe në rritjen e çmimeve të karburanteve në mbarë vendin, çka sjell më pas edhe efekte zinxhir në ekonomi.