Vetëm deputetët opozitar u solidarizuan me nismën për lirimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski duke veshur bluzat me mbishkrimin "Liri për Kezhon". Opozita vlerëson se kjo është një nga mënyrat për vetëdijesimin e pushtetit për sa i përket lirisë së mediave ndërsa shumica e cilëson si keqpërdorim politik.
"Ky është apel drejtuar regjimit në Maqedoni që të vetëdijesohet njëherë e përgjithmonë, ta kuptoj se liria e shprehjes është themel i një shteti evropian siç dëshirojmë të jetojmë. Arrestimi i Kezharovskit nuk është gjë tjetër pos vrasje e demokracisë. Dikush t'ju mbaj tre muaj në paraburgim në kundërshtim me të gjitha ligjet vetëm që t'ju frikësoj apo të nxjerr nga ju informacion, nuk është asgjë tjetër përveç diktaturës", tha Safet Bishevac deputet i LSDM-së.
Në kohën kur vëmendja e opinionit vendor dhe të jashtëm është drejtuar drejt Maqedonisë sa i përket lirisë së mediave, nga VMRO-DPMNE bën thirrje që ky rast të mos keqpërdoret për qëllime politike. Sipas tyre, me veprimet e tilla vetëm sa e dëmtojnë. Por opozita vlerëson se kjo është e drejtë e çdo qytetari përfshirë edhe deputetët.
"Jo të gjithë që sot apo në të kaluarën kanë veshur bluza " Liri për Kezhon" kanë agjendë të njëjtë. Dëshiroj të theksoj se parti të caktuara po e keqpërdorin këtë rast në mënyrë të papranueshme dhe jo korrekte, jo për të ndihmuar dikë por me qëllim të dëmtojnë partitë tjera politike, prandaj apelojmë ky rast të mos vihet në rangun e politikave ditore dhe qërim hesapesh me partitë politike", u shpreh Ilija Dimovski deputet i VMRO-DPMNE.
"Nuk e di pse do të ishte keqpërdorim politik nëse unë si qytetar i këtij shteti kam të drejtë të mendoj politikisht, nëse dëshiroj në këtë mënyrë të dërgoj ndonjë porosi politike. Unë e kam këtë të drejt pasi ma mundëson kushtetuta dhe unë jam qytetar i lirë. Nëse dikush në këtë sheh politikë , ka të drejtë, por kjo është politikë krejtësisht e kundërt nga politika që ata këtyre ditëve po e demonstrojnë, si mbjellje e frikës me kërcënime e shantazh", tha Safet Bishevac deputet i LSDM-së.
Të shtunën këshilli nismëtar në arkivin e Kuvendit dorëzoi 123 bluza me mbishkrimin "Liri për Kezhon" në mbështetje për lirimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski, i cili prej 2 muajsh gjendet në paraburgim. Kjo është edhe një tentim tjetër i këshillit nismëtar për mbrojtje në liri të Kezharovskit krahas protestave të shumta para gjykatës në Shkup. Gazetari Tomisllav Kezharovski akuzohet se në vitin 2008 ka zbuluar identitetin e një dëshmitarit të mbrojtur, në një proces gjyqësor për vrasje të porositur. Gjyltene Rexhallari
Comments