Dallimet historike duan vullnet të sinqertë

  • 9 years ago
Historianët mund të zgjidhin çështjet e hapura mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, vetëm nëse për këtë shprehin vullnet të sinqertë. Sipas historianit Todor Çepreganov, kushti tjetër që do të çonte në shoshitjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve fqinje është që palët të fillojnë bisedimet nga pozita të barabarta. Megjithatë sipas Çepreganov një gjë e tillë nuk do ishte reale të pritej derisa historianët bullgarë mohojnë kombin, kulturën dhe gjuhën maqedonase.

"Maqedonia ka vullnet të mirë për zgjidhjen e këtyre problemeve megjithatë problemi mendoj që qëndron tek Bullgaria. Kjo që po ndodh me anëtarësimin tonë në NATO dhe BE, në një farë mënyre mendoj se Bullgaria përpiqet ta shfrytëzojë historinë me qëllim që ta kërcënojë Maqedoninë për çështje të caktuara historike. Pa dyshim që historia maqedonase gërshetohet me atë bullgare, pasi pjesa më e madhe e revolucionarëve maqedonas kanë qëndruar në Bullgari por kjo nuk do të thotë se ata ishin bullgarë dhe se nuk luftuan për kauzën maqedonase. Mund të ulemi dhe të bisedojmë mirëpo vetëm si palë të barabartë dhe me respekt të ndërsjellë" , deklaroi Todor Çepreganov, profesor i historisë, Instituti i Historisë Kombëtare.

Ndarjet më të thella mes të dyja palëve sipas historianit Çepreganov lidhen me ekzistimin e kombit maqedonas, respektivisht pretendimin e Bullgarisë se maqedonasit ekzistojnë që nga viti 1944 me mbledhjen e parë të KAÇKM-së dhe se Maqedonia është krijim i Titos. Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm i Bullgarisë Kristian Vigenin, ka deklaruar sot se megjithëse historia e përbashkët e Bullgarisë dhe Maqedonisë është çështje e ndjeshme, ajo mund të zgjidhet.

"Të dyja vendet nëse dëshirojnë të ndërtojnë të ardhme evropiane do të duhet të bëjnë kompromise rreth interpretimin të historisë. Ne do të mund të shkojmë përpara vetëm nëse ndërtojmë marrëdhënie evropianë, por çështjet duhet të rregullohen gradualisht" , tha Kristian Vigenin, Ministri i Jashtëm i Bullgarisë.

Sipas Ministrit të Jashtëm bullgar nënshkrimi i marrëveshjes mes dy vendeve do të afronte marrëdhëniet mes dy palëve. Vigenin deklaroi se Maqedonia nuk ka hedhur poshtë firmosjen e këtij dokumenti dhe se deri tani janë zhvilluar 4 raunde negociatash për të. Vigenin gjithashtu zbardhi dallimet parimore mes të dyja palëve që kanë të bëjnë rreth 3 çështjeve. E para lidhet me historinë e përgjithshme dhe për shënimin e datave që kanë të bëjnë me figurat dhe ngjarjet historike. Elementi i dytë ka të bëjë me Kushtetutën e Maqedonisë në pjesën ky flitet për minoritetet në shtetet fqinje. Ndërsa elementi i tretë sipas Vigenin, lidhet me gjuhën maqedonase. Semra Jakupi

Recommended