Mjekët shpalosin recetën kundër të nxehtit

  • 9 years ago
Këto fruta, që nga kajsitë, pjeshkat, zerdelitë, kumbullat, shalqiri e pjepri, janë ushqimi më i rekomandueshëm për qytetarët gjatë këtyre ditëve të nxehta verore. Mjekët thonë se qytetarët duhet të bëjnë kujdes gjatë konsumimit të ushqimit, duke evituar nga menyja e tyre, mishrat, dhjamërat, yndyrat e tepruara, brumërat dhe pijet e pasura me kofeinë dhe nivel të lartë sheqeri.

"Siç po e shihni, edhe nga kjo që po prezantojmë sot para jush, duhet të konsumohet ushqim i shëndetshëm i cili rekomandohet gjatë periudhës së verës. Bëhet fjalë për fruta, perime, dhe që të jenë të pastruara me ujë të pastër, të rrjedhshëm, me qëllim të mbrojtjes nga ndonjë infeksion në zorrë. Duhet të konsumohet ujë i sigurt, nga rrjeti i ujësjellësit ose nëse jeni në rrugë, vetëm ujë të paketuar", tha Mihail Koçubovski, koordinator i komisionit ndajë të nxehtit.

Ndërkohë mjekja Gyltene Zendeli u rekomandon qytetarëve që ushqimet, ti ruajnë edhe në vende të freskëta. Ajo bëri apel që qytetarët më shumë të përdorin lëngje, mbi 2 litra në ditë, se sa ushqime.

"Preferohet për qytetarët, që nga ora 11 e deri në orën 17, të mos ekspozohen ndaj temperaturave të larta... pastaj preferohet konsumim i bollshëm i ujit d.m.th edhe në rast të daljes përjashta, qytetarët doemos duhet të kenë nga një shishe me ujë me vete. Preferohet që t'i shmangen sa më shumë ushqimit të rëndë, mishrat, ato të pasur me proteina, ndërkohë që të konsumojmë sa më shumë fruta dhe perime të freskëta, të pastruara mirë me ujë të pastër", u shpreh Gyltene Zendeli, mjeke.

Ndërkohë, sinoptikanët thonë se rritja e temperaturave ka ndikuar që Maqedonia, të rikthehet në fazën e verdhë dhe me shkallë të indeksit 8 dhe 9 të rrezeve ultra violet. Nga enti hidrometeorologjik tërheqin gjithashtu vëmendjen që qytetarët të mos ekspozohen në diell, edhe nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale porositën punëdhënësit që të marrin masat e domosdoshme dhe të respektojnë rekomandimet për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta. Ndërsa mjekët shpalosin recetën për mbrojtjen ndaj të të nxehtit, mbetet që ju vetë të vendosni ose të bëni kujdes me menynë dhe ushqimet që shtroni në tavolinat tuaja. Valmir Kuçi

Recommended