Vidhen 200 mijë euro nga Posta në Çair

  • 9 years ago
Vjedhje filmike e Postës në Çair. Dy persona të maskuar kanë arritur të vjedhin 200 mijë euro dhe janë arratisur. Vjedhësit e maskuar kanë hyrë në ekspoziturën e Postës në rrugën "Xhon Kenedi" dhe duke kërcënuar të punësuarit me pistoleta kanë marrë 200 mijë euro. Pas vjedhjes, ata janë arratisur me motoçikleta në drejtim të panjohur. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 7:20. Policia ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se po heton për gjetjen e fajtorëve.

"Në denoncimin e rastit në polici të punësuarit kanë thënë se dy persona të veshur me kominoshe, të maskuar, kanë hyrë në postë dhe nën kërcënimin e pistoletave kanë marrë një shumë të konsiderueshme të parave. Të dhënat e para nga ana e Postave të Maqedonisë flasin për rreth 13 milion denarë, gjegjësisht 200 mijë euro. Sipas dëshmive të të punësuarve në këtë postë, pas marrjes së parave dy personat e armatosur janë larguar me motor në drejtim të panjohur. Pas paraqitjes së rastit në polici, ekipet tona dolëm në terren, është kryer ekspertizë dhe bisedë me të punësuarit në këtë postë, po sigurohen video-incizimet nga kamerat e sigurisë së postës por edhe të objekteve përreth dhe po ndërmerren edhe masat tjera me qëllim zbardhjen e identitetit të autorëve të krimit, kapjen e tyre dhe kthimin e parave të vjedhura", deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së. Alsat-M

Recommended