MPB, aksione kundër emigrantëve

  • 9 years ago
MPB ka goditur ashpër trafikimin e qenieve njerëzore, me një operacion të njëkohshëm në tre lokacione të ndryshme, në Kumanovë, Veles dhe Tetovë. Në pranga ka përfunduar edhe një shtetas gjerman, në afërsi të vendkalimit kufitar Tabanocë, i cili me makinën e tij transportonte 8 emigrantë ilegal nga Pakistani, Guineja, Algjeria dhe Bregu i Fildishtë. Ndërkohë, në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit në pranga përfunduan 51 shtetas të Shqipërisë, që punon në mënyrë të paligjshme në Maqedoni. Çështja e emigrantëve të paligjshëm sot ishte mollë sherri edhe në seancën e Kuvendit ku në rend dite ishin pyetjet e deputetëve. Orhan Ibrahimi i PDSH-së pyeti ministren e Brendshme, Jankullovska se çfarë po ndërmerr dikasteri i saj për të hequr emigrantët nga Llojani i Kumanovës. Ai madje, pyeti pse Llojanasit i hapin dyert e shtëpive, emigrantëve të huaj.

"Pyetja e tretë është për ministren e brendshme respektivisht për ngjarjet e fundit në fshatin Llojan, ku aty situata dita ditës, po rëndohet dhe shkon nga e keqja. Çfarë po ndërmerr MPB-ja për vënien e qetësisë dhe rendit në ato anë dhe në atë fshat?", tha Orhan Ibrahimi, PDSH.

"Duke pasur parasysh të dhënat e operativëve tanë por edhe duke ndjekur kërkesat, nevojat dhe reagimet e banorëve të Llojanit, MPB-ja ka realizuar disa aksione policore gjatë të cilave u zbulua një numër i madh emigrantësh... Unë do të thosha se aksionet e tilla jo vetëm që nuk do të ndalen por do të vazhdojnë. Pa dallim të realizimit të aksioneve policore, pa dallim të numrit të të arrestuarve dhe pa dallim të padive penale të ngritura, ne në asnjë moment nuk kemi iluzione se me 1, 2 ose 5 aksione policore problemi do të zgjidhet, përkundrazi jemi të vetëdijshëm se një problem i tillë serioz kërkon qasje sistematike dhe të koordinuar", u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

"Këta fukarenj që janë detyruar të lirojnë shtëpinë për këta fatkeq, që ndoshta me vete sjellin edhe sëmundje të ndryshme, e ata i fusin në shtëpitë e tyre, janë ndoshta të obliguar nga halli i madh për të bërë punë të pahijshme dhe ju i vlerësoni këto ndërhyrje me reprezalje, ndërhyrje dhune se keni bërë diçka!", tha Orhan Ibrahimi, PDSH.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska edhe sot nuk la pa përmendur se një pjesë të fajit për numrin e madh të emigrantëve të paligjshëm në Maqedoni e bartin autoritetet greke, të cilat sipas saj, nuk i kushtojnë të njëjtin përkushtim si autoritetet maqedonase. Valmir Kuçi

Recommended