Protesta në spitalin e Kumanovës nga shqiptarët të angazhuar me kontratë në vepër

  • 9 years ago
Të punësuarit me kontratë në vepër në Spitalin e Kumanovës akuzojnë drejtorin Arif Latifi për anashkalimin e tyre dhe punësimin e familjarëve të tij gjatë konkursit të fundit në këtë institucion shëndetësor. Sipas tyre nga 20 vende pune ai ka pranuar 6 të afërm të tij dhe 14 maqedonas.

"I kanë pranua në punë familjarët e tyre, kurse ne pse punojmë nga 11 vite këtu me kontratë askush nuk mbanë llogari, kemi ardhur në punë nëpër shi, borë dhe kiamet, kemi punuar edhe pa pare, nga 3 ose 4 muaj. Ne pse kemi luftu dhe pse familja ime më ka pësuar gjatë luftës nuk është problem kjo, por ne për këtë ditë kemi luftuar, për tu punësuar, për të përparuar dhe jo neve të na diskriminojnë në çdo vend. Kjo është boll më, ka 11 vite që po durojmë dhe çka është më e keqja, të vjen dikush tjetër, dhe të marr vendim pune, kjo është turp", deklaroi Jëlldëze Sefedini , infermiere.

"Konkursi ka qenë për neve që kemi më tepër stazh pune. Ne kërkojmë prej drejtorit se sipas cilit kriter i ka pranuar këto infermieret e reja. Ne kemi punuar për 3 mijë e 900 denar pagë mujore, orarin e punës e mbajmë njëjtë sikur ato që kanë vendime të përhershme pune, bile është dashur që ne edhe më tepër të angazhohemi që të ruajmë vendin e punës", tha Ajten Kadriu, infermiere.

"Kjo është e padrejtë, joligjore, drejtori duhet të dijë se kush ka më tepër stazh, atij i takon vendimi i punës. Kjo është padrejtësi, le ta dije edhe ministri i shëndetësisë se çka po ndodhë në spitalin tonë këtu në Kumanovë. Duhet të marrin masa Qeveria dhe të gjithë ata që kanë kompetenca për të kryer këtë obligim", tha Mihrije Aliti, infermiere.

Ndërkohë, drejtori i spitalit të Kumanovës, Arif Latifi thotë se gjatë konkursit të fundit janë pranuar vetëm më meritorët dhe se ndajë tij nuk është ushtruar asnjë lloj presioni.

"Protesta ka pasur gjithmonë kur ka pasur ndonjë konkurs, edhe gjatë vitit 2008 por edhe më parë, njerëzit të cilët ishin të pakënaqur, janë organizuar për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Konkursi ka qenë publik, kanë konkurruar njerëz edhe nga Kriva Pallanaka, ka pasur testim, i janë nënshtruar atij dhe ne nuk kemi bërë ndonjë diskriminim. Në punë nuk u pranua edhe motra e kryetarit të degës së BDI-së në Kumanovë, d.m.th nuk ka pasur presione partiake, nuk ka pasur asgjë, kemi vendosur për ato që kanë qenë më të merituarit", deklaroi Arif Latifi, Drejtor i spitalit të përgjithshëm, Kumanovë.

Infermieret e punësuara me kontrata në vepër, gjegjësisht si volluntere në Spitalin e përgjithshëm të Kumanovës thonë se do të vazhdojnë me protestat deri sa kompetentët të dëgjojnë zërin e tyre ndaj kësaj padrejtësie pasi siç thonë ato prej vitesh kanë dhënë mundin e tyre njëjtë sikur edhe të punësuarit me vendime pune. Valmir Kuçi

Recommended