'Forumi Rinor i Arsimit'dorëzoi në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës 25 mijë nënshkrimet me mbledhura me të cilat kërkon që testimi ekstern që u realizua për herë të parë këtë vit ta shpallet për pilot projekt. Kryetarja e këtij forumi, Dona Kosturanova tha se shoqata nuk kërkon heqjen e përhershme të testimit ekstern, por kërkon që Ministria e Arsimit këtë vit të analizojë lëshimet dhe gabimet e saj, me qëllim që vitin e ardhshëm shkollor të jetë më e përgatitur.
"Me këtë peticion që po e dorëzojmë sot deri tek Ministria e Arsimit, kërkojmë nga institucionet që të respektojnë kërkesat e qytetarëve që firmosën këtë peticion që testimi ekstern të shpallet për pilot. Institucionet duhet të angazhohen gjatë periudhës që vjen, të bëjnë analizë për efektet, lëshimet dhe përfitimet e testimit ekstern dhe të përmirësohet në të ardhmen e afërt. Institucionet duhet të hapin debat publik me të gjithë të prekurit sa i takon kësaj çështjeje dhe së fundmi të mbrohen nxënësit dhe profesorët të cilët këtë vit iu nënshtruan këtij testimi", tha Dona Kosturanova, kryetare e Shoqatës 'Forumi Rinor i Arsimit'.
Grumbullimi i mbi 25 mijë nënshkrimeve me qëllim anulimin, gjegjësisht shpalljen e testimit ekstern për pilot projekt bazohet në numrin e madh të gabimeve teknike me të cilat u përballën nxënësit, shkeljet ligjore rreth shpalljes së listave me lëndët për testim si dhe afati për dorëzimin e ankesave në bazë të rezultateve. Numri më i madh i nënshkrimeve u mblodhën në Shkup edhe atë mbi 3 mijë e 500 nënshkrime, pastaj në Veles me mbi 2 mijë e 500 nënshkrime për të vazhduar në Manastirë dhe Tetovë me mbi 1 mijë e 500 nënshkrime. Valmir Kuçi
Comments