Skip to playerSkip to main content
  • 10 years ago
Pas OSBE-së, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe LSDM-ja opozitare kërkojnë sërish tërheqjen e Ligjit për media. Kryetari i SHGM-së Naser Selmani thotë se vërejtjet e ashpra të publikuara dje nga OSBE-ja përputhen me vërejtjet e gazetarëve. SHGM-ja vlerëson se nëse një ligj i tillë miratohet, gjendja e vështirë në fushën e lirisë së mediave jo vetëm që nuk do të përmirësohet, por do të përkeqësohet më tej. Sipas Selmanit, reagimi i djeshëm i OSBE-së ka demaskuar ministrin Ivanovski i cili disa ditë më pare manipuloi duke thënë se OSBE-ja e përkrah këtë propozim ligj.

"Mendoj se qëndrimi i zonjës Mijatoviq është një qëndrim që thotë "mbreti është lakuriq", politika e qeverisë është demaskuar, për ç'ka edhe ne kemi ndihmuar mjaft. Ajo që është e rëndësishme, ky qëndrim është në kundërshtim me qëndrimin e Ministrit për Shoqëri Informative dhe Administratë, i cili para disa ditësh njoftoi opinionin se vlerësimet e OSBE-së janë pozitive. Ky është një fakt i cili dëshmon se qëndrimi i ministrit ka qenë një përpjekje për të dezinformuar opinionin", tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Deputeti i LSDM-së Jani Makraduli theksoi se draft ligjet lënë hapësirë për manipulime dhe shtrembërime, gjithmonë në shërbim të heshtjes së zërit kritik. Për ta, shqetësuese është edhe periudha kur pushteti synon të miratojë një ligj të tillë.

"Është fakt që OSBE-ja përgënjeshtroi Ministrin për Shoqëri Informative Ivo Ivanovski për ligjin për media. LSDM-ja ndan të njëjtin shqetësim me përfaqësuesit e OSBE-së se ky ligj hap mundësitë që të heshten më tej qëndrimet kritike dhe të kufizohet e drejta e shprehjes. Më tepër na shqetëson situata kur sillet ky ligj. Në kushte kur pushteti dëboi me forcë gazetarët nga Kuvendi, ka gazetarë në paraburgim për artikuj të publikuar në vitin 2008, mbeten dilemat për vdekjen e gazetarit Mlladenov", deklaroi Jani Makraduli, deputet i LSDM-së.

Ka reaguar edhe partia maqedonase në pushtet. VMRO DPMNE-ja vazhdon të këmbëngul se në versionin e ri të ligjit janë përfshirë të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e faktorit ndërkombëtar dhe ekspertëve vendas.

"Në kuadër të teksteve të këtyre propozimeve janë inkorporuar një numër i madh vërejtjesh dhe rekomandimesh të cilat kanë ardhur nga OSBE-ja dhe Këshilli i Europës, por edhe nga Shoqatat dhe Lidhjet e gazetarëve, mediave elektronike private, shoqëritë radiodifuzive lokale dhe rajonale, dhe ofruesve të shërbimeve të internetit", thonë nga VMRO DPMNE-ja.

Në reagimin e djeshëm, përfaqësuesja e OSBE-së në Maqedoni për fushën e mediave, Dunja Mijatoviq shprehu shqetësimin se dispozitat e këtij ligji mund të keqpërdoren dhe të keqinterpretohen në praktikë. Benjamin Arifi

Category

📺
TV
Comments

Recommended