Status quo-ja e Komisionit hetimor mund t'i kushtoj Maqedonisë me raport negativ nga Komisioni Evropian apo me humbjen e rekomandimit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim dhe fajtor kryesor për këtë do të jetë LSDM-ja. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Nikolla Gruevski duke komentuar bllokimin e punës së këtij Komisioni pas dorëheqjes së kryetarit të saj Borçe Davtikovski. Sipas tij kjo është si rezultat i mosmarrëveshjeve brenda LSDM-së të cilat mund të dëmtojnë interesat e vendit. Gruevski shpreson që këto mosmarrëveshje të tejkalohen brenda LSDM-së, meqë nëse nuk ndodh kjo atëherë mund të reflektoj probleme serioze.
"Atje ka dy udhëheqësi, në disa momente edhe tre udhëheqësi. Ma më vjen keq që kjo është kështu, veçanërisht për faktin se nuk mund të kryejmë disa detyra të rëndësishme për shtetin, për të cilat mund të ketë pasoja. Mos zgjidhja e çështjes së komisionit do të reflektohet në raportin e ardhshëm të Bashkimit Evropian. Në fund të fundit mund të rezultojë edhe me mos marrjen e rekomandimit, për herë të parë. Problemet e tyre brenda në parti drejtpërdrejt mund të reflektojnë në probleme shtetërore dhe atë probleme serioze dhe për këto arsye shpresoj që do të gjendet një mënyrë që ata brenda në parti të merren vesh dhe të kenë një udhëheqësi. Me dy ose tre udhëheqje nuk do të kenë vetëm ata probleme, por të gjithë ne i ndjejmë këto probleme", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Edhe Zv/kryeministri për euro-integrime Fatmir Besimi bëri thirrje që Komisioni hetimor për ngjarjet e 24 Dhjetorit të vazhdojë punën, sa më shpejt, në mënyrë që Maqedonia të mos ketë pasoja të tjera negative në procesin e integrimit evropian.
"Është me rëndësi thelbësore për procesin e integrimit evropian që ndërprerja e punës së Komisionit, pas dorëheqjes së kryetarit të këtij organi, të kapërcehet sa më shpejt të jetë e mundur... Komisioni të vazhdoj punën, pasi puna dhe konkluzionet e tij do të jenë objekt vlerësimi nga Komisioni Evropian në raportin e vjeshtës për përparimin e Maqedonisë.... dhe nëse nuk tregojmë përparim në këtë drejtim, kjo mund të ndikojë negativisht në vlerësimin që do të marrim në pjesën e kritereve politike", thotë Besimi në një deklaratën me shkrim. Sipas tij, formimi i Komisionit i cili shqyrton rrethanat që shkaktuan ngjarjet e 24 Dhjetorit, si dhe përgatitja e një raporti objektiv, është një nga aspektet kryesore të marrëveshjes politike të 1 Marsit që u arrit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
"Përbërja e Komisionit u përcaktua me konsensus ndërmjet faktorëve të prekur politik dhe puna e tij, u mirëprit nga Komisioni Evropian si një sinjal pozitiv dhe vullnet për zbardhjen e shkaqet që sollën ngjarjet e 24 Dhjetorit", shkruan zv/kryeministri Besimi. Gjyltene Rexhallari
Comments