Totozani: Edhe ngacmimi seksual dhe moral të quhen vepra penale

  • 9 years ago
TIRANE - Avokati i Popullit Igli Totozani ka propozuar që në Kodin Penal të parashikohen si vepra penale edhe ngacmimi seksual dhe ngacmimi moral. Në kohën kur po vazhdojnë propozimet për ndryshime në Kod, Totozani ia drejtuar letrën me sugjerime, ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi dhe kreut të Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Ilir Rusmalit.

"Duke përfituar nga ky moment pozitiv si dhe nga fakti se propozimi për ndryshimet në Kodin Penal është ende duke u diskutuar në Komisionin e Ligjeve do të dëshiroja që të kërkoja bashkëpunimin tuaj institucional edhe në lidhje me një problematikë," - shkruan Totozani.

"Në kuadrin e trajtimit të ankesave dhe problematikave që lidhen me të drejtat e njeriut prej institucionit të Avokatit të Popullit kemi menduar që do të ishte mirë të shikohej mundësia që për herë të parë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë, të parashikohen si vepra penale edhe "Ngacmimi Seksual" dhe "Ngacmimi Moral", - thekson ai.

"Dua t'ju njoftoj se në lidhje me nevojën e shtimit të këtyre dy dispozitave kemi diskutuar së fundmi dhe kemi marrë miratimin në parim edhe të Misionit EURALIUS. Duke ju falënderuar edhe njëherë mbetemi të hapur për çdo bashkëpunim të mëtejshëm,"- përfundon Avokati i Popullit.

Recommended