Basha-Olldashi, takimet e fundit me anëtarësinë

  • 9 years ago
TIRANE - Dy ditë para zgjedhjeve për kreun e ri të PD, Lulzim Basha prezantoi platformën për drejtimin e partisë në Fier, Patos, Mallakastër dhe Kamëz. Basha tha se PD duhet të jetë e gatshme të përballet me një maxhorancë që nuk mban premtimet që u ka bërë qytetarëve. "Kanë hyrë në garë me njëri-tjetrin se kush sjell më shumë militant dhe CV militantësh por nuk kanë ndërmend të na ofrojnë asnjë politikë se si do të punësojnë 300 mijë shqiptarë", tha Basha.

Ai shkoi dhe më tej duke akuzuar fituesit e 23 qershorit për shitblerje të votës. Duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të kontributit të çdo anëtari të PD dhe përfshirjes së tij në vendimmarrje, Basha tha se kjo do të jetë e sanksionuar në statut. Ndërkaq, Sokol Olldashi vijoi takimet me anëtarë dhe struktura drejtuese të PD në kryeqytet, gjatë të cilave i cilësoi zgjedhjet brenda PD-së, një garë reale vlerash.

Edhe sipas Olldashit, ristrukturimi i partisë nuk nis me kryetarin e ri, kush do qoftë ai, por përmes lidhjes me anëtarët e thjeshtë. Olldashi foli për platformën e tij për të rikthyer PD në shumicë politike në përballjen e parë elektorale. "Nëse ne duhet të bëjmë një betejë të fortë, nëse ne duam të bëjmë një betejë politike të suksesshme për të rikthyer PD në shumicë, ne duhet të ndajmë fushën politike.

Duhet t'ua bëjmë të qartë shqiptarëve se politika në këtë vend nuk ka më tre pole: ka mazhorancën e tyre dhe opozitën tonë. Nuk ka më lojtar mesi", tha Olldashi. Ai doli edhe nga protokolli zyrtar i takimeve dhe u takua me të rinjtë e FRPD-së në një nga klabet e Tiranës. Sot është dhe heshtja elektorale për të startuar me zgjedhjet nesër në mëngjes.