Qytetarët janë të lodhur nga zgjedhjet e shumta që po përsëriten nga viti në vit andaj më me rëndësi është që të fokusohemi në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë se sa të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu ka deklaruar numri dy i BDI-së Izet Mexhiti në një intervistë për Radion Evropa e lirë. Ai edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin se propozimi 'Maqedonia e Epërme' është i pranueshëm për partinë e Ahmetit ndërsa të papranueshme janë propozimet që do të kenë prapashtesa sllovene, jugosllave etj.
"Ne jemi pjesë e mozaikut politik në Maqedoni. Qëndrimi jonë është se edhe ne edhe populli jemi lodhur nga zgjedhjet, kishte shumë. Ne jemi më tepër që të zgjidhim problemet, emrin, se sa gjithë kohën të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Qëndrimi ynë ishte se nuk do të pranojmë emër që do të ketë parashtesë 'jugosllave' dhe dy- tre propozime të tjera që ishin kontestuese ndërsa gjithçka tjetër është e pranueshme. Edhe propozimi 'Maqedonia e Epërme', ne që në fillim publikisht thamë se është i pranueshëm", deklaroi Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
BDI konsideron se edhe shqiptarët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së problemit të emrit për dallim nga qëndrimi i opozitës shqiptare e cila konsideron se maqedonasit e kanë të drejtën ekskluzive për të zgjidhur këtë çështje.
"Dallohemi diametralisht në qëndrime. Ne kërkuam dhe veç më kemi anëtar në ekipin më të lartë ku negociohet, ai është zëvendëskryeministri, më herët ishte Ademi, tani është Xhaferi i kyçur direkt në këtë proces. Ne i kemi thënë qëndrimet tona se si shqiptarë nuk i pranojnë ato me prapashtesa jugosllave. Për ne është me rëndësi ky proces dhe ne dëshirojmë të jemi pjesë e tij", tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Mexhiti tha se nuk sheh asgjë të keqe nëse BDI mund të shërbej si dorë e zgjatur e bashkësisë ndërkombëtare me qëllim të zgjidhjes sa më të shpejt të emrit, pasi kjo çështje është prioritet dhe në interes të qytetarëve. Sa i përket mosmarrëveshjeve mes partnerëve të koalicionit ai tha se porosit jepen në vendin e duhur pavarësisht qëndrimeve të kundërta që jepen në momente të caktuara në opinion. Vendimin për dalje nga qeveria, sipas tij duhet ta merr kryesia e BDI ndërsa fakti që kjo akoma nuk ka ndodh nënkupton se ende ka hapësirë për përpjekjet dhe angazhimet tona, ka deklaruar Mexhiti. Bedri Rexhallari
Comments