MASH pranon defektet në tetimin ekstern

  • 9 years ago
Testimi ekstern dhe ditari elektronik si dy nga çështjet më të përfolura në sferën e arsimit në këtë fundvit shkollor, përfundimisht ulën në një tryezë të përbashkët ministrin e arsimit Spiro Ristovski dhe kreun e sindikatës së arsimit Jakim Nedelkov. Ata ranë dakord që në periudhën e ardhshme të intensifikojnë dialogun me qëllim që sa më shpejt dhe me sukses të realizojnë reformat në sistemin arsimor. Rezultatet nga këto negociata pritet të regjistrohen para fillimit të vitit të ri shkollor, përveç testimit ekstern pasi në gusht është sesioni i tretë për ata që kanë munguar në dy sesionet e para të qershorit.

"Lidhur me testimin ekstern, praktikisht pranuam që të negociojmë për të gjitha vërejtjet. Tani është shumë herët të them në detaje se cilat nga ato vërejtje do të pranohen, por në thelb është me rëndësi të theksohet se në të shumtën, përputhen konstatimet për disa mangësi të caktuara të natyrës teknike. Disa kishin të bënin me përmbajtjen e pyetjeve, gjegjësisht nga materiali që u ofrua për testimin ekstern. Ne pranuam në takim që të diskutojmë për të gjitha këto çështje, bashkë me sindikatën, dhe grupet punuese ta shqyrtojmë këtë problem i cili u diagnostifikua, dhe për të cilin ne publikisht thamë që në fillime ka disa lëshime", deklaroi Spiro Ristovski, ministër i arsimit.

Përfaqësuesit e Sindikatës së arsimit vlerësojnë se këto çështje duhen diskutuar për shkak të problemeve që u paraqitën gjatë zbatimit në praktikë, siç është mungesa e internetit në shumë shkolla që gjenden në viset rurale dhe problemet që u paraqitën gjatë testimit ekstren.

"Kemi konstatim se gjatë vitit të kaluar shkollor ditari elektronik gjegjësisht mundësia të punohet dhe të futen të dhënat në ditarin elektronik jo gjithkund ishte e mundur. Shembull në disa shkolla që janë në vise rurale nuk ka rrjet interneti megjithatë përcaktimet ligjore nuk I anashkalojnë ato shkolla nga ky obligim. Prandaj që të mos vijmë në një situatë të palakueshme gjegjësisht gjatë kontrollit, inspektorati i arsimit të vërtetoj se dikush nga kolegët nuk ka të dhëna në ditarin elektronik por edhe të dënohen pa fajin e tyre...Gjithashtu edhe rreth testimit ekstern ne nuk kemi kërkesë por konstatim se ka pasur lëshime të caktuara dhe problem", tha Jakim Nedelkov kryetar i sindikatës së arsimit.

Nga bashkëpunimi i mëtejshëm mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit pritet që këto probleme të zgjidhen bashkërisht ku nuk do të ketë humbës apo fitues. Ata paralajmëruan se do të fillojnë edhe me përgatitjet për testim më të suksesshëm ekstern, vitin e ardhshëm shkollor duke evituar me kohë problemet që u paraqitën këtë vit. Gjyltene Rexhallari

Recommended