Skip to playerSkip to main content
  • 10 years ago
Aksion i madh policor në Llojan të Kumanovës. 6 banorë të këtij fshati kufitar dhe rreth 30 emigrantë janë vënë në pranga sot në mëngjes, në kuadër të aksionit policor "Shosha". Banorët dyshohen për kryerjen e veprës penale "fshehje emigrantësh ilegalë", pasi në shtëpitë e tyre janë gjetur emigrantë, që kanë paguar strehimin nga 10 euro për një natë për kokë njeriu.

"Për një shumë të caktuar parash banorët pranojnë në shtëpi emigrantë ilegalë me prejardhje nga vendet aziatike dhe afrikane, duke i mbajtur në shtëpi për një kohë të caktuar, për nevojat e grupeve kriminele ndërkombëtare të cilat kontrabandojnë emigrantë nga Greqi përmes Maqedonisë dhe Serbisë drejt shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian", u shpreh Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Policia njofton se në mesin e emigrantëve të gjetur në shtëpitë e banorëve të Llojanit ka pasur edhe të 13 të mitur pa prind. Për fshehjen e emigrantëve të tillë, Kodi Penal parasheh dënime deri më 8 vjet burg. Pas fillimit të bujshëm të ditës, fshati Llojan tani duket i qetë. Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit, Selami Memeti thotë se pas aksionit policor, emigrantët janë strehuar në malet dhe fushat rreth fshatit.

"Aksioni policor mbaroi në ora 10. Në fshat është në rregull, nuk ka probleme. Kanë marrë 7-8 persona, emigrantë nuk e di se sa. Maleve dhe fushës janë mbi 300 veta, se atje flenë, fushës. I kanë marrë vetëm këto nëpër shtëpi. Apeloj te qeveri që tua falë, nëse gabojnë herën tjetër të përgjigjen", tha Selami Memeti, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Llojanë.

Selami Memeti thekson se situata e tillë me emigrantët, që po zgjat me vite, po bëhet e padurueshme për banorët e Llojanit. Të njëjtën e thotë edhe zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski. Sipas tij edhe vrasja e para dy ditëve pranë Tabanovcit është si rezultat i presionit që po ndjen vendi nga rritja e numrit të emigrantëve ilegalë. Nga policia thonë se po vazhdojnë të punojnë për të mbajtur situatën nën kontroll. Megjithatë sipas Kotevskit një pjesë të madhe të fajit për problemin e Maqedonisë me emigrantët ka edhe Greqia, për shkak të kontrollit të dobët të kufirit me Maqedoninë, aty prej ku depërtojnë emigrantët. Benjamin Arifi

Category

📺
TV
Comments

Recommended