Bulqizë, familja dhunohet barbarisht, për 200 metra tokë

  • 9 years ago
BULQIZE- Katër pjesëtarë të një familjeje në fshatin Ostren të Bulqizës janë dhunuar barbarisht pranë banesës së tyre. Shkak mendohet një konflikt pronësie për 200 metra tokë, mes familjes së tyre dhe familjes Koçi.

Burime nga A1 Report thonë se 4 anëtarët e familjes Sata janë dhunuar barbarisht me mjete të forta nga 8 pjesëtarë të familjes Koçi, ndërkohë që policia thotë se ngjarja nuk është kaq e rëndë.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se kryefamiljari Hekuran Sata është goditur në kokë dhe ka mbërritur në spital pa ndjenja. Djalit të tij, Mehmetit i kanë thyer dy këmbët dhe më pas e kanë hedhur nga ura 4-5 metra lartësi. Ai është në gjendje të rëndë dhe po merr ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Bulqizës.
Bashkëshortja Kujtime Sata 48-vjeçe ka marrë fraktura në kurriz, si dhe vajza e familjes, Alma Sata 22 vjeçare ka plagë në njërin sy.
Bulqizë, policia në kërkim të autorëve, pjesëtarë të familjes Koçi ndërsa të plagosurit janë në spital.

Mësohet se dy familjet ishin në konflikt prej vitesh, ndërkohë që dje ky konflikt u përshkallëzua shumë rëndë.

VERSIONI ZYRTAR POLICIA
Nga ana e tij Drejtori i Policisë së Qarkut Dibër Izet Hysa thotë se konflikti mes dy familjeve ka lindur prej vitesh por dje është përshkallëzuar. Ai thotë se disa herë dy familjet janë shoqëruar në polici për këtë konflikt dhe i kishin sugjeruar të shkonin në gjykatë për të zgjidhur konfliktin.

Sipas Drejtorit të Policisë dhunuesit ndaj të cilëve është nisur procedim penal janë Elidon, Fuat, Haki dhe Nelson Koçi, ndërsa nga familja Sada vetëm njëri ka frakturë në gju dhe nuk ka asnjë të plagosur tjetër.

Recommended