Petkovski: Vendimi, pa bazë ligjore

  • 9 years ago
Lideri i PRSD-së Tito Petkovski e vlerëson si skandaloz dhe të turpshëm vendimin e Gjykatës që e obligon ti paguaj 10 mijë euro kryeministrit Gruevski për dhimbjen shpirtërore të shkaktuar nga deklarata e tij se Gruevski kishte pranuar ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Petkovski ka cituar nenin 7 të Ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe ofendim, që parashikon se asnjë subjekt nuk mund të akuzohet për shpifje nëse ka cituar ndonjë dokument, komunikatë apo deklaratë zyrtare të ndonjë prej funksionarëve. Ai pohon se qëndrimet e tija në gazetën Fokus, për të cilat është dënuar për shpifje, bazohen në deklaratat e Gruevskit, dhe komunikatën që ende qëndron në ueb faqen e Qeverisë. Këtë argument të Petkovskit nuk e ka marrë parasysh Gjykata, ashtu siç nuk ka marrë parasysh propozimet e Petkovskit për dëgjimin e dëshmitarëve.

"Gjykatësit i propozova dhe e luta që në cilësinë e dëshmitarit të thirren anëtarët e delegacionit që ishin në Bukuresht në vitin 2008, presidenti i atëhershëm i shtetit Branko Cërvenkovski, Llazar Elenovski si ministër i mbrojtjes, i cili dha deklaratë të veçantë para Këshillit Qendror të PRSD-së, Antonio Milloshovskin si ministër i punëve të jashtme dhe Xhorxh Bush junior si president i SHBA-ve. Gjithashtu propozova që të shikohen dhe dëgjohen video dhe audio incizimet nga deklaratat e Gruevskit dhe Llazar Elenovskit, por kuptohet se kjo u refuzua nga ana e Gjykatës", tha Tito Petkovski, kryetar i LSDM-së.

Ka reaguar edhe LSDM-ja opozitare. Sipas tyre, pushteti po vazhdon të hakmerret në të gjitha format ndaj kundërshtarëve politik.

"Aktgjykimi është marrë një ditë para pushimeve verore të gjykatave. Si duket gjyqi e kishte shumë të rëndësishme që urgjentisht të sjell vendim në favor të dhimbjes shpirtërore të kryeministrit Nikolla Gruevski. Në gjyqësorin e Maqedonisë asgjë nuk ndryshon. Hakmarrja e pushtetit ndaj kundërshtarëve politik në vend se të ndalojë, po verifikohet edhe me verdikte gjyqësore me procedura skandaloze", thonë nga LSDM.

Është përgjigjur edhe VMRO DPMNE-ja, e cila vlerëson se LSDM-ja e sheh funksionimin e shtetit të së drejtës vetëm përmes prizmit të saj partiak, duke bërë paralele me reagimet e tyre në fillim dhe në fund të procesit gjyqësor kundër Vllado Buçkovskit.

"Sot kundërshtojnë vendimin e Gjykatës vetëm për shkak se Tito Petkovski është në koalicion me ta, ndërsa nesër kur Tito Petkovski tua kthejë shpinën, do të përshëndesin dhe do të gëzohen në vendimet e Gjykatës. LSDM-ja i pranon vendimet e organeve gjyqësore vetëm atëherë kur ato i konvenojnë partisë së tyre dhe udhëheqësisë së saj", thonë nga VMRO.

Tito Petkovski ka paralajmëruar ankesë për vendimin e Gjykatës, edhe pse nuk shprehet optimist se do të ndryshojë vendimi dhe të merren parasysh argumentet e mbrojtjes. Benjamin Arifi

Recommended