Zëri i Aleksandër Moisiut në një pllakë gramafoni, dorëzohet në arkiv

  • 9 years ago
Një album i rrallë prej 3 disqesh gramafoni, ku përfshihet zëri i aktorit të madh Aleksandër Moisiu u dorëzua sot në Arkivin Qëndror të Shtetit. Në këtë inçizim Aleksandër Moisiu interpreton monologun e Faustit të Gëtes.

Në albumin prej 3 disqesh ndodhen të regjistruara materialet më të rralla të historisë austriake, ku fill pas një materiali zanor të perandorit austriak Franc Jozef, vjen interpretimi brilant i Moisiut.

Ky album u publikua për herë të parë për publikun shqiptar në studion e Tv "A1 Report!" nga studiuesi Pjetër Logoreci, i cili e kishte gjetur rastësisht dhe e kishte blerë në tregun e antikuareve në Vjenë.

Studiuesi Pjetër Logoreci ia ka dorëzuar këtë album të vyer drejtoreshës së Përgjithshme të Arkivave Nevila Nika, e cila e vlerësoi maksimalisht gjestin e rrallë të z.Logoreci.

Sipas saj në fondin e rrallë të fonotekës ku ruhen materiale të vyera zanore, mungonte zëri i aktorit të madh Aleksandër Moisiu, dhe ky akt dhurimi e pasuron këtë arkiv e njëkohësisht mbron dhe ruan një thesar që tashmë shndërrohet në pronë publike të gjithë shqiptarëve.

Recommended