Përfundoi procesi gjyqësor mes Nikolla Gruevskit dhe Tito Petkovskit, u mbull në favor të kryeministrit. Gjykata vendosi që Petkovski t'i paguaj për shpifje Gruevskit, 650 mijë denarë. Bëhet fjalë për një kolumnë ku Petkovski shkruante se Gruevski në prag të samitit të NATO-s në vitin 2008, kishte pranuar ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit; pohime këto të cilat sipas Gruevskit, i kanë shkaktuar atij shqetësime shpirtërore. Avokati mbrojtës i kryeministrit u shpreh i kënaqur nga ky aktvendim gjyqësor, i cili në pjesën e shpifjes është i plotë ndërsa në pjesën e kompensimit është e pjesshme për shkak se vlera e miratuar është 650 mijë denarë, kundrejt 950 mijë denarëve që u kërkuan në fillim nga pala e akuzës.
"Kuptohet, u vërtetua në tërësi përgjegjësia për dhënien e deklaratës tendencioze dhe jo të vërtetë. U pranua në tërësi kërkesa për padi sipas ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje si dhe kompensimi për cenim të nderit dhe imazhit, është në vlerë prej 650 mijë. Mendoj se në këtë lëndë, që në aspektin juridik sipas meje ishte e thjeshtë pasi të thënat e pavërteta nuk kishte si të mohoheshin dhe i akuzuari as që tentoi në çfarë do mënyre t'i mohoj ato përveç me shpërqendrimin e gjykatës dhe opinionit në një materie krejt tjetër, që nuk ishte lëndë e kërkesës paditës", deklaroi Nikolla Dodevski avokat mbrojtës i Niklla Gruevskit.
Pala mbrojtëse paralajmëroi ankimim tek instancat e tjera më të larta gjyqësore, pas marrjes së verdiktit gjyqësor në formë të shkruar. Ata akoma nuk janë në dijeni se në bazë të cilave dëshmive është marrë ky aktvendim gjyqësor.
"Nuk dëshiroj tani të komentoj asgjë rreth kësaj, deri sa të marrim vendimin në formë të shkruar, që të shohim se në çfarë bazohet pranimi i kërkesës paditëse. Pjesa më e diskutueshme ka të bëj me vlerën e kompensimit që u kërkua. Sigurisht se ne do të dërgojmë ankesë dhe në të do të shënojmë gjithçka që mendojmë", u shpreh Oliver Ristovski, avokat mbrojtës i Tito Petkovskit.
Avokati i Petkovskit, Oliver Ristovki informoi se gjyqi ka refuzuar të gjitha propozimet për dëshmitar, si Branko Cërvenkovski, Llaze Elenovski dhe Antonio Milloshoski.
"Po, u propozua por megjithatë, propozimi u refuzua. Si dëshmitarë të propozuar ishte Branko Cërvenkovski pasi në atë kohë, në vitin 2008 ishte president, ishte Llaze Elenovski si ministër i atëhershëm i mbrojtjes, Antonio Milloshoski si nënshkrues i letrës në OKB", tha Oliver Ristovski avokat mbrojtës i Tito Petkovskit.
Avokati i Petkovskit, Ristovski të premten braktisi seancën gjyqësore dhe nuk e firmosi procesverbalin për arsye se gjyqi atë ditë punoi edhe pas orarit të punës për një lëndë e cila nuk ishte me urgjencë të përmbyllej atë ditë. Në seancën e sotme ku u dha vendimi, Gruevski e Petkovski munguan. Gjyltene Rexhallari