Bexheti: Do të korrigjohet gabimi me shqipen

  • 9 years ago
Ministria e Drejtësisë po punon intensivisht për sigurimin e ligjeve me përkthim në shqip, dhe rregullimin e anashkalimeve gjuhësore në ueb faqen zyrtare të saj. Ministri Blerim Bexheti në një deklaratë me shkrim për televizionin Alsat thekson se në ditët në vijim, në faqen e Ministrisë së Drejtësisë do të publikohen edhe ligjet në gjuhën shqipe, ndërsa njofton se tashmë ministria i ka dorëzuar kërkesë Kuvendit për sigurimin e ligjeve të përkthyera.

"Ministria e Drejtësisë vlerëson lartë rolin e mediave e sidomos televizionin ALSAT M, si korrigjues i të metave që eventualisht ndodhin gjatë punës së institucioneve. Lidhur me këtë, ne e kuptojmë interesimin tuaj për faqen e internetit, për të cilën do të doja t'ju informoja se për momentin, korrigjimet janë duke u përmirësuar në mënyrë të shpejtë. Do të lekturohen dhe korrigjohen informatat e publikuara, dhe kjo do të bëhet gjatë ditëve në vijim, ndërsa faqja do të pësojë ndryshime në kuptim të qasjes së informacionit dhe performancave teknike. Paralelisht me këtë, këto ditë do të publikohen të gjitha dokumentet dhe ligjet në gjuhën shqipe që momentalisht mungojnë në faqen e internetit", thotë Blerim Bexheti.

Ndërkohë situata e tillë e mospublikimit të ligjeve të përkthyera në gjuhën shqipe vazhdon edhe në faqen e Kuvendit. Edhe pse e obliguar me ligj që të gjitha materialet e shkruara të përkthehen dhe publikohen edhe në gjuhën shqipe, në versionin shqip nuk ekziston kategoria "materiale", ku duhet të publikohen Draft-Ligjet dhe amendamentet e dorëzuara në Kuvend. Këto të dhëna publikohen vetëm në gjuhën maqedonase, në versionin maqedonisht të uebfaqes së Kuvendit. Benjamin Arifi

Recommended