Presidenti mbledh krerët e institucioneve: Larg politikës

  • 9 years ago
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka kërkuar sot, krerëve të disa institucioneve në vend që të ndikohen nga politika dhe nga periudha e tranizitimit të pushtetit në vend, pasi institucionet e tyre tashmë janë të konsoliduar dhe veprojnë sipas ligjit.

Në takim ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani; Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori; Nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa; Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla; Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj; Inspektoren e Përgjithshme të ILDKP-së, Zana Xhuka etj.

Në fjalën e tij, Nishani tha: "Jemi në fillim të procesit të tranzitimit të pushtetit politik nga një mazhorancë në një tjetër të re të sapovendosur nga këto zgjedhje. Pikërisht përballimi me suksesin më të madh të mundshëm demokratik e profesional i kësaj periudhe, është qëllimi kryesor i mesazhit tim sot me cilësinë e Presidentit të Republikës, për ju dhe për gjithë trupën institucionale që ju përfaqësoni.

Zgjedhjet prodhuan një mazhorancë të re politike, të cilës i uroj suksese në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj. Prioritetet e kësaj qeverie mund të jenë të ndryshme nga mazhoranca e mëparshme. Kësisoj edhe funksionet qeverisëse duhet të jenë të matura, në zbatim të ligjit, por edhe të moralit publik dhe institucional, në shërbim të këtij mandati që do fillojë së shpejti.

Por, ushtrimi i funksioneve, praktikat dhe vendim-marrjet e institucioneve të tillë si Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Guvernatori i Bankës, KLSH, ILDKP, etj, si institucione të pavarura duhet të mos përfshihen nga perceptimi i inercisë së transferimit të pushtetit qeverisës.

Qeveria dhe Kryeministri i ri mund të kenë pikëpamjet e tyre për raportin që do të vendosin me këto institucione, apo dhe për mënyrat e koordinimit që mund të kenë me ju, por baza e punës së përditshme të këtyre institucioneve është krejtësisht e përcaktuar ligjërisht, e pavarur institucionalisht, e mbi të gjitha duhet t'i përgjigjet zërit të profesionalitetit, që kërkon t'i shërbejë pa reshtje e pa ndërprerje qytetarit, shtetit dhe atdheut."- tha Nishani

Recommended