Përfaqësimi i ulët i shqiptarëve në Sekretariatet Qeveritare

  • 9 years ago
Përfaqësimi i dobët i shqiptarëve nëpër Institucione , dukshëm vërehet edhe në pesë sekretariatet e Qeverisë. Përpos Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, në të gjitha 4 Sekretariatet e tjera qeveritare, shqiptarët janë të përfaqësuar nën 10 për qind. Përfaqësimi më i dobët i shqiptarëve paraqitet në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë. Sipas Raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2012, në këtë sekretariat janë të punësuar vetëm 13 shqiptarë nga 408 të punësuar gjithsej, ose vetëm 3,2 për qind. Zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha theksoi se përfaqësimi i tillë ka qenë gjatë vitit 2012. Që atëherë sipas tij, punët kanë lëvizur dukshëm.

"Përfaqësimi i drejtë në të gjitha institucionet punohet që të rritet. Edhe në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë janë marrë të gjitha masat që numri i shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike të rritet. Sipas statistikave të cilat i posedojmë ne në Sekretariatin e Përgjithshëm afër 12% të të punësuarve janë shqiptarë, dhe theksoj se në këtë sekretariat kemi edhe udhëheqës sektori, ndihmës udhëheqës sektori dhe sekretar shtetëror që janë shqiptarë", tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Hoxha tha se brenda vitit priten punësime të reja në këtë Sekretariat. Me realizimin e këtyre punësimeve, përfaqësimi i shqiptarëve nga 12 për qind pritet të rritet në 20 për qind. Duke u bazuar në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2012, përfaqësim i ulët vërehet edhe në Sekretariatet e tjera qeveritare, si Sekretariati për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta me 4,4 për qind, Sekretariati i Ligjeve 4,5 për qind dhe Sekretariati për çështje evropiane me 6,1 për qind. Benjamin Arifi

Recommended