Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen të ndarë rreth paralajmërimeve të Brukselit se vendi mund të humbasë rekomandimin e Komisionit Evropian. Një ditë pasi shefi i diplomacisë lituaneze deklaroi se Maqedonia duhet të garantojë nëse mbetet apo jo partner i besueshëm i BE-së, Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për edukim evropian thotë se vendi rrezikon seriozisht të humbë rekomandimin për të filluar negociatat.
"Kemi 4 gjëra që duhet të bëjmë, nëse nuk i bëjmë ne në tetor do të marrim raport negativ, respektivisht do të konstatohet se Maqedonia nuk e plotëson kriterin politik siç ishte rasti në vitin 2008, dhe kur e plotësojmë kriterin politik do të thotë se nuk ka rekomandim...pra duhet të dalim me konstatimet të komisionit hetimor pas ngjarjeve të 24 dhjetorit, të fillojë dialogu me mediat dhe kryesorja, të ketë ndonjë zgjidhje për bashkëpunimin rajonal, emrin dhe marrëdhëniet me Bullgarinë..kjo pritet nga ne", theksoi Lidija Dimova, Qendra maqedonase për edukim evropian.
Ndërsa profesori Bekim Kadriu nuk e sheh aq dramatike situatën. Ai vlerëson se raporti i tetorit nuk do dallojë shumë nga ai i marsit, pasi nuk ka ndonjë ndryshim drastik as në situatën politike në vend.
"Teorikisht është e mundur që në raportin e ardhshëm që Komisioni Evropian t'i rekomandojë Këshillit se Maqedonia nuk i plotëson kriteret dhe nuk meriton datën. Mirëpo unë nuk besoj se një gjë e tillë do të ndodhë. Arsyeja e parë është se raporti i fundit i progresit ishte i muajit mars dhe ishte relativisht pozitiv, dhe nuk mund që situata të ndryshojë aq në mënyrë drastike në Maqedoni sa që raportin e ardhshëm në tetor të jetë me rekomandim negativ", deklaroi Bekim Kadriu, profesor i Marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nga ana tjetër sipas Kadriut dhe Dimovës, qëndrimi i djeshëm i Gruevskit dëshmoi edhe njëherë se kryeministri nuk dëshiron të zgjidhë problemin e emrit pasi qasja e tij është plotësisht e gabuar.
"Ai thotë se nuk janë me rëndësi partitë politike, por qytetarët. Por, kë përfaqësojnë ato parti politike, arushat, i përfaqësojnë qytetarët. Prandaj kjo nuk pi ujë. Ne gjithashtu e dimë prej 7 vitesh mënyrën e vendimmarrjes së Gruevskit, se është autoritar dhe se vendimet i merr vetë ai. Është problem me një qeverisje të tillë të zgjidhë një çështje kaq madhore siç është çështja e emrit", u shpreh Lidija Dimova, Qendra maqedonase për edukim evropian.
"Që të arrini marrëveshje me Greqinë nënkupton që ju të keni një farë kompromisi më të gjerë politik brenda në shtet, për atë se çfarë është marrëveshje e pranueshme për Maqedoninë dhe këtu kryeministri dështon, sepse ai nuk merr parasysh se çka mendon partneri në koalicion që ka dhe nuk merr parasysh çfarë mendojnë partitë e tjera. Kërkohet një konsensus i gjerë politik edhe në nivel të koalicionit qeveria dhe partive në opozitë..marrëveshja që do të arrihet me Greqinë, kur ta nxirrni në referendum të mos kenë hamendje ..kjo mungon në Maqedoni", deklaroi Bekim Kadriu, profesor i Marrëdhënieve ndërkombëtare....
Comments