Fillimi i Muajit të shenjtë të Ramazanit për këtë vit, nuk do të harrohet asnjëherë nga familja Zylfiu nga fshati Kopanicë i Komunës së Sarajit. Pikërisht në këtë ditë, katër anëtarët e familjes në fjalë hynë në shtëpi të re për të filluar një jetë më të mirë. Tre fëmijët, Egzoni, Liridoni dhe Shpresa iu gëzuan më së shumti shtëpisë. Ata ishin të parët që hapën derën kryesore të saj.
"Shumë jemi gëzu dhe shumë mirë po e ndjejmë veten, shtëpi e re dhe sendet e reja, mir i kemi krejt, edhe fëmijët janë gëzu edhe unë jam gëzu, gjithë myslimanët Zoti ishalla i gëzon, edhe ata që na kanë ndihmu Zoti i shpërbleftë më të mira. Tash shumë më mir, më shumë vend, kur isha me një dhomë u mendofsha si me kalu Ramazanin, si me bo syfirin, po tash shyqyr shumë mir falë Zotit, i falënderoj të gjithë", tha Dashurie Zylfiu, kryefamiljare.
Shtëpia për familjen Zylfiu u ndërtua me ndihmë të shoqatës humanitare 'Mëshira' dhe me financim të Isak Vjeselit nga fshati Çegran i Gostivarit.
"E falënderoj edhe Tv Alsat ku për herë të parë e pamë këtë rast, në atë moment ishin edhe fëmijët këtu të cilët e morën këtë hap për të ndihmu këtë familje, Zoti i shpërbleftë edhe ato edhe këta fëmijë. I apeloj edhe të tjerëve që të ndihmojnë këto projekte. Jemi të gatshëm edhe do të jemi që të ndihmojmë në aspektë tjera, afrojmë edhe njerëz tjerë dhe apeloj deri tek njerëzit tjerë që të ndihmojmë shumë raste, ti nxjerrim në rrugë", deklaroi Isak Vejseli, donator.
"Projektin e kemi kry në atë kohën që ne e kemi paraparë, që kemi mundu që për natën e Ramazanit kjo familje të jetë në shtëpinë e re dhe Ramazanin, Muajin e Rahmetit e fillon pikërisht në shtëpinë e re. Lusim dhe apelojmë të gjithë qytetarët, të vullnetit të mir të cilët kanë mundësi të ndihmojnë, të ndihmojnë për këto famlje që me të vërtet që kanë nevojë. Është një gëzim shumë i madhë kur i sheh këto familje, këta fëmijë që sot e tutje vazhdojnë një jetë krejt ndryshe, një jetë më të lumtur dhe më të qetë", u shpreh Haki Lushtaku, Sh.H "Mëshira".
Familja jetime jetonte më parë në fshatin kopanicë. Tani, shtëpia e re e ndërtuar në Vizbeg, nënkuptoj jo vetëm një vend të ri, por edhe një jetë të re. Me heqjen e halleve të vendbanimit, fëmijët jetimë nuk e fshehin faktin se duan që një ditë të bëhen të ditur dhe ta shpërblejnë këtë të mirë të njerëzve humanë. Melihate Rustemi