Nis gara për kreun e ri të PD, Basha në Elbasan, Olldashi në Fier

  • 9 years ago
Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi nisin sot në terren garën për kryetarin e ri të PD. Dy rivalët kanë zgjedhur ta nisin betejën nga qarqet ku ndihen më të fortë, Basha në Elbasan ku doli deputet në 2009 dhe Olldashi në Fier, ku është i pari i listës për të dytin mandat radhazi. Të dy kandidatët kanë theksuar se "humbja në zgjedhjet e 23 qershorit është përgjegjësia e të gjithëve, jo vetëm e Berishës".

Lulzim Basha ka zgjedhur ta nisë betejën në një nga qarqet ku ndihet më i fortë, pasi në Elbasan doli deputet në vitin 2009.

Basha besohet se ka lidhje të forta me strukturat e partisë në këtë zonë që prej fushatës elektorale të 2009, kur ai kryesoi listën e deputeteve demokratë, derisa u tërhoq për të garuar për Bashkinë e Tiranës.

Duke u ndalur tek rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit dhe tek dorëheqja e Sali Berishës nga kreu i Partisë Demokratike, Basha tha se kjo humbje është përgjegjësi e gjithsecilit, dhe ftoi të gjithë demokratët të japin kontributin e tyre për ringritje dhe ristrukturimin e kësaj force politike.

Ndërkaq edhe kandidati tjetër për kreun e PD, Sokol Olldashi i ka bërë të gjithë bashkë përgjegjës për humbjen dhe u ka kërkuar ndjesë militantëve të PD, që "me gjithë punën e madhe që bëmë, nuk i fituam zgjedhjet".

Më pas për sa i përket garës për kreun e PD, ai ka theksuar se "është futur në garë në një moment të vështirë; kjo është një garë, që do t'i shërbejë PD dhe strukturave të saj".

Në lidhje me LSI ai ka theksuar se "LSI ishte kosto për PD. Ne duhet të bindim shqiptarët se vota nuk është mall që shitet". Ndërsa dy ditë më parë Olldashi e quajti LSI jo një parti politike, por çetë financiare. Ndërsa nënkryetari i LSI, Ylli Manjani i pyetur për këtë deklaratë u përgjigj: "Kumari dhe kumarxhinjtë janë dënuar nga populli me votë".

Demokratët janë thirrur të zgjedhin sipas parimit një anëtar një votë, pasardhësin e Berishës më 22 korrik.

Recommended