Tetë nxënësit më të talentuar udhëtojnë drejt SHBA-ve

  • 9 years ago
Tetë nxënësit më të talentuar nga Maqedonia do të udhëtojnë drejt SHBA-ve për të marrë pjesë në kampin veror të Qendrës për talente të reja pranë Universitetit "Xhon Hopkins". Nxënësit nga shkolla fillore dhe të mesme, të moshës 12 dhe 14 vjeçarë, u zgjodhën përmes një konkursi të shpallur nga ministria e Arsimit, nga sfera e shkencave natyrore dhe shoqërore. Ministri i Arsimit Spiro Ristovski dhe ambasadori i SHBA-së në Maqedoni Poll Uollers theksuan se ky kurs intensiv do t'iu mundësojë nxënësve ballafaqim me sfida të reja në mësim dhe njohje me kultura të ndryshme. Kursi do të fillojë më 13 korrik dhe do të përfundojë më 2 gusht.

"Për dallim nga viti i kaluar, kur ministria e Arsimit ndau katër bursa për në kampin veror "Xhon Hopkins", këtë vit ky numër është rritur në 8. Projekti kap shumën 80 mijë dollarë që mbulohen nga Ministria e Arsimit dhe që përfshijnë shpenzimet e transportit, regjistrim në Qendrën për talente të reja, bursa për programet verore, sigurim të nxënësve dhe furnizim me libra. Ministria e arsimit gjithashtu ka angazhuar për vendosjen e të rinjve, edhe një të punësuar nga kjo ministri", deklaroi Spiro Ristovski, ministër i arsimit.

"Xhon Hopkins" është një ndër universitetet kryesore në SHBA por edhe në botë. Për këtë flet fakti që 34 nobelistë ishin studentë ose kanë punuar në këtë universitet. Kursi do të zgjasë tre javë, çdo ditë do të jetë intensive, do të ballaqoheni me sfida në mësim, duhet të punoni shumë por ndërkohë edhe do të argëtoheni shumë. Kjo paraqet një mundësi të njiheni me SHBA-në dhe kultura të ndryshme", tha Poll Uolers, ambasador i SHBA-ve në Maqedoni. Alsat-M

Recommended