Davitkovski: Komisioni Hetimor do të vendosë me shumicë votash

  • 9 years ago
Gati 1 muaj nga nisja e punës së komisionit hetimor, kreu i tij ka deklaruar publikisht mënyrën e vendimmarrjes së këtij organi që do të zbardhë incidentet e 24 dhjetorit. Sipas Borçe Davitkovskit, vendimet merren me shumicë votash, edhe pse sërish vota e tij, në disa raste do të jetë vendimtare për shkak se komisioni përbëhet nga 2 përfaqësues të partisë në opozitë, dhe 2 të partisë në pushte. Vota konsensuale do ta mbante sërish bllokuar punën e këtij komisioni, ndaj sipas Davitkovskit, kjo vendimmarrje i hap rrugën këtij organi që të dalë me raport, shumë më herët nga afati i parashikuar.

"Vendimet i marrim me shumicë votash, për këtë ramë dakord që në fillim, sepse nuk ka logjikë të arrimë konsensus,kjo ishte arsyeja përse nuk mund të formohej ky organ..Komisioni punon, shqyrtojmë një sërë materialesh, morën materiale video, deklarata të personave të përfshirë, filluam edhe me rekomandimet dhe raportin, të huajt na ndihmojnë shumë..mendoj se shumë shpejt mund të dalim me një draft version- raport, ku do të përfshihen hyrja, kronologjia e ngjarjeve dhe në fund rekomandimet dhe konkluzionet.... Afatet janë të shkurtra, punojmë në mënyrë intensive dhe shpresoj se përpara pushimeve do të dalim me version final të raportit", tha Borçe Davitkovski, kryetar i Komisionit hetimor.

Sipas Davitkovskit, komisioni nuk pa për detyrë etiketimin e fajtorit, por verifikimin e fakteve dhe parandalimin e tyre në të ardhmen. Davitkovski përsëriti se komisioni përbëhet nga ekspertë, dhe pas punës së tyre, raporti do t'u dërgohet vetëm organeve kompetente, të cilat do të marrin qëndrim për ngjarjet e 24 dhjetorit.

"Rekomandimet tonë synojnë përmirësimin e ligjit për kuvend, ka dallime dhe zbrazëtira mes ligjit dhe rregullores së kuvendit. Ato janë akte që miratohen me procedurë të njëjtë. Duket se këtu duhet të shoshiten gjërat. Të huajt na rekomanduan përvoja krahasuese si p.sh. mënyrën e votimit, procedurat gjatë miratimit të buxhetit....dhe mendoj se në të ardhmen duhet të pikasen vatrat që mund të nxitin tensione.. dhe ato të kapërcehen!", deklaroi Borçe Davitkovski, kryetar i Komisionit hetimor.

Në bazë të rregullores me të cilën u ngrit ky organ, komisioni hetimor duhet të shprehet me raport, brenda afatin 60 ditor të tij. Megjithatë, kreu Davitkovski garanton se raporti do të dalë shumë më herët. Gjithsesi, herët apo vonë, ky raport nuk i hyn më në punë autoriteteve, si provë e domosdoshme gjatë samitit të BE-së. Konkluzionet dhe përmbushja e qëllimit të këtij komisioni, do të vlerësohet në prag të raportit të progresit, në vjeshtë. Semra Jakupi

Recommended