UEJL pozicionohet në Çarshinë e Shkupit

  • 9 years ago
Universiteti i Europës Juglindore në Shkup do të ndryshojë godinë. Ai do të vendosen në urën e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, e njohur ndryshe si ish shtëpia e mallrave "Most". Objekti i ri synon krijimin të një mjedisi urban dhe modern për arsim. Rektori i UEJL-së Zamir Dika tha se destinacioni i ri i universitetit paraqet një simbolikë të fuqishme në realizimin e një projekti shumë gjuhësor dhe shumë kulturor.

"Pikërisht Ura, Most ose Bridge u zgjodh si destinacion për këtë projekt edhe një simbolikë e fuqishme në drejtim të realizimit të këtij projekti shumë gjuhësor dhe shumë kulturor që lidhen jo vetëm kultura dhe njerëz të ndryshëm në Maqedoni t'i jap gjithashtu një input ekonomik komunës Qendër, komunës së Çairit, do të gjallëron atë me prezencën e studentëve dhe stafit tonë që do të jetë aktive edhe në krijimin e projekteve me komunitetin e këtyre dy komunave dhe në bashkëveprim me ta", deklaroi Zamir Dika, rektor i EUJL-së.

Objekti i ri i universitetit të UEJL-së në Shkup, është edhe pika që lidh dy komuna të Shkupit, atë të Çairit me atë të Qendrës. Dy krerët e komunave në fjalë uruan mirëseardhjen e universitetit dhe shprehën gatishmëri për bashkëpunim.

"Kjo urë lidh komunën e Çairit dhe atë Qendër, ndërsa për mua paraqet një kënaqësi të veçantë të jem këtu dhe gjithmonë si kryetar i Komunës Qendër do ta mbështes këtë lidhje. Vlerësoj se me këtë që po bëjmë sot, vendosjen e këtij universiteti këtu, tregon se ia kemi arritur qëllimit... për shkak se universiteti është vendi ku njohim njëri-tjetrin, ku duhet të jemi bashkë dhe të mësojmë bashkë në gjuhë të ndryshme", tha Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.

"Dalëngadalë po rrumbullakohet që kjo pjesë e Shkupit, Shkupi i vjetër të jetë qendër e universiteteve. Këtu në afërsi është Universiteti Kiril dhe Metodi,është USHT-ja, është Universiteti Ballkanik dhe ky mozaik nuk do të ishte i plotë nëse këtu në qytetin e vjetër të Shkupi nuk do të ishte edhe një ndër universitetet më të suksesshme ai i UEJL-së", u shpreh Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.

Punimet për rindërtimin e objektit të ri të Universitetit të Europës juglindore pritet të përmbyllen brenda dy muajve. Ai do të jetë gati për vitin e ri akademik. Punimet do të kapin një vlerë prej 600 mijë eurosh. Sipas përfaqësuesve të UEJL-së, iniciativa e sotme është zgjedhur simbolikisht të përurohet në ditën e pavarësisë së SHBA-ve, të cilët janë një ndër themeluesit e këtij universiteti. Melihate Rustemi