Do të rinovohet stacioni hekurudhor në Shkup

  • 9 years ago
Do të rinovohet stacioni hekurudhor në Shkup. Nuk do jetë sipas stilit barok, sepse sipas ministrit të transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski, 2.5 milion eurot e siguruara nga programet evropiane IPA, do të shfrytëzohen para së gjithash për rregullimin e brendshëm, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e mjeteve do të shfrytëzohen për zbukurimin e jashtëm të stacionit.

"Projektin e realizojmë me ndihmën e BE-së, gjegjësisht, 85% e mjeteve janë nga fondet IPA, ndërsa 15% janë financim vendor. Dua të theksoj se rinovimi bëhet pas plot 33 vjetëve. Që nga vitet e 80 kur është ndërtuar ky stacion, nuk është bërë asnjë rinovim deri tani", deklaroi Mile Janakievski, ministër i transportit dhe lidhjeve.


Tenderi për zgjedhjen e kompanisë që do punojë në rinovimin e stacionit do të zgjasë deri në 3 shtator, ndërsa zgjedhja e kompanisë ndërtimore do të përfundojë më së voni deri në janar të vitit të ardhshëm. Është paraparë që punimet të zgjasin 12 muaj, që do të thotë se deri në vitin 2015 do duhet të kemi stacion tërësisht të rinovuar. Përderisa pritet rinovimi, në stacionin hekurudhor në Maqedoni ende ka linjë treni për në qytet që nuk e ekziston. Në monitorin e orarit, ende qëndron se ka linjë treni për në Tito Veles.


"Vërejtja juaj është me vend. Do ta informoj ndërmarrjen dhe që sot ta ndryshojë atë sepse qytet me emër të tillë në Maqedoni nuk ka", tha Mile Janakievski, ministër i transportit dhe lidhjeve.

Optimizmin e ministrit nuk e ndajnë edhe në HM- Infrastruktura. Prej atje thonë, që të zgjidhet problemi me Tito Velesin, kjo mund të bëhet vetëm në dy mënyra. Ose qyteti të fshihet nga monitorët ose të pritet viti 2015 kur do të marrim sistemin e ri elektronik të shfaqjes së orarit. Shkak për këtë është se softueri i tanishëm kompjuterik është i vjetër 30 vjet dhe askush nuk ka ditur ta përshtatë atë me kohën e tanishme. Goran Temenugov

Recommended