Matura 2013, MASH: 400 lekë për të parë testin e Matematikës

  • 9 years ago
TIRANE - Specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, njoftojnë maturantët se ata që kanë dyshime se testi nuk u është vlerësuar mirë, mund të bëjnë një kërkesë pranë shkollës së tyre për të parë fotokopjen e testit të korigjuar.

Të gjithë të pakënaqurit me notat kanë afat deri me datë 5 korrik për të dorëzuar ankesën pranë shkollës së tyre, ankesa të cilat më datën 6 korrik, çdo shkollë e vendit duhet t'i dërgojë pranë drejtorisë arsimore të rrethit me listën emërore të maturantëve që kanë ankesa së bashku me fotokopjen e madat arkëtimit. Ndërkohë që me datë 7 korrik të gjitha drejtoritë arsimore të vendit i dërgojnë ankesat në ministrinë e Arsimit, ku edhe bëhen gati fotokopjet e kërkuara nga të rinjtë.

Por për të marrë dhe parë fotokopjen e testit të tyre të rinjtë duhet të paguajnë 400 lekë të reja. Fotokopjen e testit mund ta kërkojnë të gjithë ata të rinj, të cilët, pasi kanë parë notën me të cilën janë vlerësuar, mendojnë se testi i tyre nuk është vlerësuar drejt.

Kështu që ata kërkojnë të marrin një fotokopje të testit të vlerësuar dhe të shikojnë se sa pikë i është dhënë për secilën zgjidhje të 25 pyetjeve që janë testuar. Ministria e Arsimit ka deklaruar se pavarësisht faktit që të rinjtë kanë të drejtë të shikojnë fotokopjen e testit, nuk do të ketë ndërhyrje në sistemin e notave të publikuara tashmë.

I vetmi rast kur do të ndërhyhet dhe të ndryshohet nota që tashmë është publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, është vetëm kur konstatohet se është bërë një gabim njerëzor në mbledhjen e pikëve. Pra kur pikët që i janë dhënë për çdo ushtrim maturantit nuk janë mbledhur mirë, dhe nota si pasojë e gabimit nota është më e ulët.

Recommended