Novkovska pranon përfaqësimin e ulët të shqiptarëve në 'statistikë'

  • 9 years ago
Drejtoresha e Entit Shtetëror të Statistikave Bllagica Novkovska pranon përfaqësimin e dobët të shqiptarëve në institucionin që ajo drejton. Ajo sot konfirmoi atë që kishte alarmuar televizioni Alsat M kohë më parë, anashkalimin e kuadrove shqiptarë nga pozitat drejtuese të Entit të Statistikave. Pozita më e lartë e një të punësuari shqiptar në Statistika, është ndihmës/udhëheqës në njërin prej 7 sektorëve të Entit Statistikor. Të gjithë 7 udhëheqësit e sektorëve dhe 36 udhëheqësit e reparteve janë maqedonas. Këtë anashkalim të kuadrit shqiptar, drejtoresha Novkovska e arsyeton me mungesën e kuadrit të arsimuar dhe të kualifikuar konform kritereve të këtij institucioni.

"Përfaqësimi është aq sa keni njoftuar edhe ju në media, prej kohësh, pra vetëm një person është në kolegjiumin profesional. Në nivelet e tjera shqiptarët janë të përfaqësuar në mënyrë adekuate me arsimin e tyre dhe përvojën e punës, para se gjithash për shkak se ne respektojmë Ligjin për administratë publike, i cili thotë se që të keni një pozicion udhëheqës duhet të keni vite të caktuara përvoje pune, dhe arsimim të caktuar. Po ka, ai është ndihmës udhëheqës i sektorit", tha Bllagica Novkovska, drejtoreshë e Entit Shtetëror të Statistikave.

Për drejtoreshën e Entit të Statistikave, mungesa e kuadrove shqiptarë në pozita udhëheqëse në këtë institucion nuk është pengesë për realizimin e Regjistrimit objektiv të popullsisë.

"Maqedonia do të realizojë regjistrimin në momentin që do të jetë e gatshme të respektojë standardet ndërkombëtare. Ky është kushti i vetëm që të kemi regjistrim cilësor, gjithçka tjetër është vetëm logjistikë", deklaroi Bllagica Novkovska, drejtoreshë e Entit Shtetëror të Statistikave.

Kohë më parë, ish anëtari i Komisionit për realizimin e Regjistrimit, akademiku Abdylmenaf Bexheti dha dorëheqjen nga kjo detyrë pikërisht për shkak të përfaqësimit të dobët të shqiptarëve në pozitat drejtuese në Entin Shtetëror të Statistikave, që sipas tij krijonte kushte për manipulime të mundshme etnike të procesit të regjistrimit. Benjamin Arifi

Recommended