Deputetët e Maqedonisë shpresojnë se vendi do të marrë mësim nga Kroacia për sa i përket eurointegrimeve. Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti-Devaja tha se anëtarësimi i Kroacisë në BE flet se Evropa nuk është e lodhur nga zgjerimi por se ky proces do të vazhdoj gjithnjë derisa i gjithë territori gjeografik i Evropës të bëhet pjesë e Evropës politike. Derisa Tito Petkovski nga PRSD-ja përsëriti qëndrimin e tij të para disa viteve se Maqedonia me në krye Nikolla Gruevskin asnjëherë nuk do të arrij të bëhet pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
"Ne e përshëndesim, e mirëpresim dhe gjithsesi se do të punojmë dhe do të angazhohemi që të marrim leksionet më të mira nga Kroacia për atë se çfarë dhe si duhet të bëjmë në periudhën që vjen, sepse natyrisht se është zhgënjyese dhe nuk është moment i mirë kur një shtet i cili deri para pak vitesh llogaritej lider i rajonit që është RM-ja sot në fakt nuk e ndan të njëjtin gëzim me Republikën e Kroacisë', tha Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.
"Do ta përsëris qëndrimin tim të viti 2008 se derisa Gruevskui është në pushtet, Maqedonia nuk ka gjasa të hyj as në NATO e as në bashkimin Evropian. Dhe për fat të keq kjo është realitet gjithë këto 5 vite.Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe ja Serbia, na tejkaluan derisa ju garantoj se Maqeodnia do të hyj në tren bashkë me Shqipërinë dhe Kosovën, e si do të zhvillohen më tej ngjarjet do të flasim në ndonjë rast tjetër", deklaroi Tito Petkovski, PRSD.
Edhe deputeti i RDK-së Naxhi Xhelili por edhe ai i PL-së Ivon Veliçkovski vlerësojnë se Maqedonia duhet të shfrytëzoj formulën Kroaci-Slloveni për zgjidhjen e kontestit me Greqinë.
"RDK-ja ka pas një qëndrim që nga themelimi i saj duke kërkuar që në procesin e euro-integrimit, posaçërisht në kontestin që RM-ja ka me emrin me Republikën e Greqisë të aplikohet formula e zgjidhjes së kontekstit Kroaci-Slloveni', u shpreh Naxhi Xhelili, deputet i RDK-së.
"Është real suksesi i Kroacisë e cila tejkaloi disa sfida, kishte një kontest të hapur më një fqinjë, dhe akoma ballafaqohet me probleme ekonomike por është për tu përshëndetur mbetja e tyre në rrugën evropiane dhe kjo porosi vlerësoj se duhet të jetë inkurajuese për të gjithë ne. Njëkohësisht mendoj se kemi mundësi që ti shfrytëzojmë përvojat e tyre pozitive", tha Ivon Veliçkovski, deputet i PL-së.
Ndërkohë deputetët e VMRO DPMNE-së nuk deshën të komentojnë anëtarësimin e Kroacisë në BE. Bedri Rexhallari
Comments