Gruevski fitoi gjyqin me Petkovskin, 15 mijë euro për shpifje
  • 9 years ago
Kreu i PRSD-së Tito Petkovski do të duhet të paguajë deri në 15 mijë euro nëse shpallet fajtor për dëmtimin e imazhit të kryeministrit Nikolla Gruevski. Kryeministri Gruevski ka paditur kreun e PRSD-së Petkovskin për shpifje ndaj tij në një tekst në gazetën 'Fokus' të publikuar një vit më parë. Bëhet fjalë për tekstin ku kreu i PRSD-së Tito Petkovski i referohej letrës që shefi i atëhershëm i diplomacisë maqedonase Antonio Milloshoski i kishte dërguar Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, në të cilën ndër të tjera konfirmonte se qeveria kishte pranuar propozimin e Nimicit për emrin e shtet, Republika e Maqedonisë (Shkupi) përpara samitit të Bukureshtit.

"Propozimi im, që Gruevski publikisht të kumtonte respektivisht ta përsëriste qëndrimin e tij të vitit 2008, Gruevski e përjetoi si të dëmshëm, ndaj imazhit dhe nderit të tij! Veçanërisht për shkak se "paditësi gjithmonë deklaron se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje rreth problemit të ermit pa realizimin e referendumit.." Dëmtimi i nderit dhe imazhit, citoj "tek paditësi është shkaktuar dhembje shpirtërore", e cila mund të riparohet këtë unë e konstatoj, vetëm me 950 mijë denarë apo 15 mijë euro. Kuptohet për një dhembje të tillë shpirtërore nuk ekziston ekspertizë nga person profesional- psikiatër. Kjo nuk paraqet presion vetëm ndaj meje por mesazh ndaj te gjithëve se kush do të guxojë të shpreh mendim ndryshe nga ai apo partia e tij duhet të mendojë për çfarë do lloj pasojash", tha Tito Petkovski, kryetar i PRSD-së.

Sipas Petkovskit, vendimi i gjykatës për të filluar procesin gjyqësor nuk mban pasi edhe vetë Gruevski në vitin 2011 në një prononcim para mediave kishte pranuar se kishte rënë dakord me propozimin e Nimicit përpara Samitit të Bukureshtit. Sipas Petkovskit ky veprim i Gruevskit mund të cilësohet edhe si një tendencë për patriotizëm të rrejshëm në kohën kur ka dështuar në menaxhimin e shtetit në çdo aspekt por mbase edhe si tendencë për të ushtruar presion mbi të. Procesi gjyqësor do të fillojë nesër. Semra Jakupi
Recommended