Opozita fajëson qeverinë për dështimin e Maqedonisë në Samit

  • 9 years ago
Reagime të ndryshme kanë përcjellë lënien pas dore temën e Maqedonisë në Samitin e ministrave të BE-së. LSDM-ja opozitare duke vlerësuar Maqedoninë si të fundit në rajon për sa i përket euro-integrimeve, akuzoi kryeministrin Gruevski se vazhdimisht krijon alibi për dështimet, madje duke kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare.

"Duam të shprehim shqetësimin tonë të thellë për ngecjen e proceseve euro-integruese. Duam të shprehim shqetësimin tonë për atë se Maqedonia me këso vendime mbetet në bishtin e Ballkanit perëndimor... Kryeministri, duke kërkuar alibi për debaklin e politikave të tij, si zakonisht kritikon bashkësinë ndërkombëtare, akuzon opozitën dhe të gjithë ata që 7 vite paralajmëruan se jemi në rrugë të gabuar", tha Radmilla Sheqerinska, LSDM.

Ndërkohë që BDI-ja, dështimin e Maqedonisë në këtë samit e sheh si mundësi të mirë për mobilizim të brendshëm rreth zgjidhjes së kontestit të emrit.

"Ne mendojmë se epilogu i këtij Samiti tani duhet të shfrytëzohet si forcë mobilizuese për të këndjellur në një mënyrë shoqërinë në Maqedoni se pa bërë kompromisin, nuk do të kemi asnjë të ardhme të sigurt, këtu nënkuptoj anëtarësimin në NATO, dhe asnjë mirëqënie ekonomike, nënkuptoj anëtarësimin në Bashkimin Evropian", deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

PLD-ja opozitare ka kritikuar qeverinë e VMRO-së dhe BDI-së si fajtore të vetme për anashkalimin e Maqedonisë nga ministrat e jashtëm evropian.

"Fajtori për këtë gjendje nuk duhet të kërkohet në komshi dhe në kontestin me Greqinë por në vet shtetin dhe në qeverinë anemike . Edhe koalicionet qeveritare tani më e kanë të qartë se çfarë po ndodh me Maqedoninë. Vet nënkryetari i qeverisë para disa ditësh, tha se Maqedonia nuk ka problem vetëm me emrin por edhe me tjera pyetje", tha Nano Ruzhin, PLD.

Nano Ruzhin vlerëson se Maqedonia ka probleme në përmbushjen e të gjitha kritereve të cilat Bashkimi Evropian i kërkon para fillimit të bisedimeve. Benjamin Arifi

Recommended