Maqedonia jashtë agjendës së Brukselit

  • 9 years ago
Përfundoi samiti dyditor i BE-së, dhe ashtu siç pritej, Maqedonia nuk ishte në agjendën e Brukselit. Mirëpo, nga ana tjetër fqinjët dolën të fituar! Serbia do të filloj bisedimet aderuese me BE-në, ndërkaq Kosova do të filloj negociatat për Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim. Konkluzionet nga Samiti dyditor të liderëve të vendeve dhe qeverive evropiane që u mbajt në Bruksel, i shpalosi kreu i Këshillit Herman Van Rompuj. Konferenca ndërqeveratare me Serbinë, është paralajmëruar, për në janar të vitit të ardhshëm, ku dhe do të hapen bisedimet për anëtarësim. Rompuj bëri të ditur se të hënën do të udhëtoj në Beograd dhe Prishtinë, me qëllim që të theksojë rëndësia e këtyre hapave në procesin euro-integrues me Serbinë dhe Kosovën. Presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso, gjithashtu përshëndeti vendimin për caktimin e datës të bisedimeve me Serbinë, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një ngjarje historike. Përmes profilit të tij në tuiter, urime Serbisë dhe Kosovës i dërgoi edhe komisionari evropian për Zgjerim, Shtefan File. Ndërkaq, samiti i BE-së mirëpriti zyrtarisht Kroacinë, e cila prej datës 1 korrik është anëtarja më e re e Unionit. Petar Bllazhevski

Recommended