Skenës politike në Maqedonia iu shtua edhe një forcë e re politike. Aleanca për Maqedoni Pozitive e iniciuar nga ish kryeministri Vllado Buçkovski, gazetari Lupço Zikov dhe biznesmeni Minço Jordanov, nga sot shton konkurrencën në hapësirën politike të Maqedonisë. Sipas themeluesve, kjo parti është e hapur për të gjithë qytetarët që ia duan të mirën vendit pa dallime etnike apo fetare. Buçkovski tha se kjo aleancë, së bashku me koalicionet eventuale, mund të jetë një befasi e këndshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
"Që sot mendoj se skena politike e Maqedonisë do të jetë më interesante, do të ketë një freski politike, do të rritet konkurrenca, do të promovojmë një mënyrë të re komunikimi politik dhe do të përpiqemi t'i ndryshojmë gjërat, për mirë. Nuk pretendoj që gjërat të ndryshohen brenda natës, por jam i bindur se me paraqitjen e Aleancës për Maqedoni Pozitive, dhe me koalicionet eventuale të cilët do t'i bënim në të ardhmen me partitë e qendrës mund të formojnë një bllok të fuqishëm opozitar i cili do ta ndryshojë përfundimisht skenën politike në Maqedoni dhe do të mposhtë pamjen bardh e zi", tha Vllado Buçkovski, themelues i Aleancës për Maqedoni pozitive.
Qëllimi kryesor i kësaj Aleance sipas Zikovit është promovimi i politikave që do të përmirësojnë ekonominë dhe cilësinë e jetës së qytetarëve, si dhe t'i japin fund largimit të trurit dhe të rinjve. Zikov gjithashtu tha se reformat duhet ti përmbushin për veten tonë, dhe jo për në BE apo NATO.
"Aleanca për Maqedoni pozitive kërkon dhe do të stimulojë një proces politik rishqyrtimi dhe ri-afirmimi të qëllimeve shtetërore, integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë. Rishqyrtim se ku jemi në atë rrugë dhe kush janë prioritet tona tani. Do të stimulojmë një strategji të re shtetërore për prioritetet dhe qëllimet tona të bazuar në konsensus, si dhe konsensus kombëtar për problemin e emrit. I respektojmë të drejtat individuale për identitet dhe për vetë-identifikim", u shpreh Lupço Zikov, themelues i Aleancës për Maqedoni pozitive.
Themeluesit e forcës së re politike, njoftuan për planet e punësimit të rreth 100 mijë njerëzve dhe përforcimin e kapaciteteve ekonomike të Maqedonisë. Sipas tyre, kongresi i parë i partisë pritet të mbahet në shtator kur do të zgjidhet edhe kreu i partisë, në të cilën janë aderuar 11 mijë anëtarë. Semra Jakupi
Comments