RAMA: MBI TË DHËNAT TONA, RILINDJA KA FITUAR MBI RRËNIMIN!

  • 9 years ago
Kryetari i PS-së dhe kandidati për deputet i Vlorës deklaroi në orën 19:00, në mbylljen zyrtare të procesit të votimit në gjithë vendin se "Bazuar mbi të dhënat tona operative, Rilindja fitoi mbi rrënimin!"

Rama e bëri deklaratën nga selia e PS-së, ku në mes të entuziazmit të simpatizantëve, lëshoi edhe thirrjen drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit: " Z.Burgaj është ora që ju të bëni Drejtorin e Përgjithshëm të këtij shteti. Nga ky moment, Berisha është vetëm Kryeministër në detyrë. Ndërkohë, u bëj një thirrje të gjithë qytetarëve që këtë vullnet dhe këtë verdikt Sovran, ta konsiderojnë si fitore të madhe të Shqipërisë në rrugën e së ardhmes, pa asnjë dallim.

Ka fituar Aleanca jonë, por duhet të fitojë edhe Shqipëria me zgjedhje që nuk mund të njollosen më tutje,"- theksoi Rama. -- "Gjaku i pafajshëm që u derdh sot në Laç është një këmbanë alarmi për të gjitha uniformat blu, që sot janë në detyrë dhe duhet të qëndrojnë në detyrë për ta mbështetur dhe garantuar këtë proces deri në votën e fundit, ashtu siç e ka adresuar vullneti i popullit sovran.

Ne jemi këtu garantë të palëkundur të çdo vote dhe garantojmë se nuk do lejojmë të preket asnjë votë shqiptari që sot është nisur për ta çuar Shqipërinë në fatin e saj, Bashkimin Europian.

Edhe njëherë e përsëris për të gjithë komisionerët dhe KQZ-në se ligji dhe vetëm ligji, duhet të përcaktojë qëndrimin ndaj atyre zgjedhësve që janë ende në qëndrën e votimit duke garantuar votimin e tyre dhe duke mos mbajtur hapur qëndrat në pritje të askujt tjetër,"- përfundoi kryetari i Partisë Socialiste.

Recommended