Rreth 3.3 milion qytetarë me të drejtë vote në Shqipëri sot zgjedhin përbërjen e re të parlamentin me shqiptare prej 140 vendesh. Në garë janë rreth 5200 kandidatë të partive të ndryshme politike. Beteja kryesore zhvillohet mes dy koalicioneve politike, demokratët të udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha dhe socialistët nga Edi Rama. Këto dy forca politike janë mbledhur në koalicion me parti të tjera, ku Berisha udhëheq Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, ndërsa Rama Aleancën për Shqipërinë Evropiane. Kryeministri Berisha pas votimit në Tiranë tha se zgjedhjet e sotme janë vendimtare për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje duke siguruar qytetarët se do të respektohet vota e tyre. Thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje drejtori edhe lideri i partisë socialiste, Edi Rama.
"I siguroj se vota e tyre do të respektohet plotësisht. Këto zgjedhje janë përcaktuese për 4 vitet që vijnë, për mirëqenien e tyre, për integrimin në BE. Mesazhi im për çdo anëtar e simpatizant si dhe për çdo qytetar është që ta shndërrojmë këtë ditë, në ditë feste ku qytetarët të shprehin lirisht votën e tyre" , tha Sali Berisha, kryeministër.
"Apeli im është pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje. Në pak minuta vendosen jo vetëm 4 vitet e ardhshme, por edhe fati i një gjenerate. Kështu që ju lutem të gjithëve, nuk ka asgjë më të rëndësishme për të bërë sot si qytetar, si familjar, si shqiptar, se sa tek qendra e votimit, për të marrë fletën e votimit dhe për të shprehur vullnetin sovran në votë. Secili sot është populli në veprim", deklaroi Edi Rama, kryetar i PS-së.
Ndërkohë presidenti Nishani ka porositur që qytetarët të kenë prioritet Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, para partive dhe ideologjive.
"Ju bëj një apel qytetarëve të vendit: partitë dhe ideologjitë për të cilat ne votojmë janë të ndryshme por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një, jeta e qytetarëve është e rëndësishme, ne do nxjerrim një qeveri për të siguruar qytetarët e vendit, ne jemi të gjtihë një, të një kombi", u shpreh Bujar Nishani, president i Shqipërisë.
Ndërkaq qytetarët apeluan për zgjedhje të qeta dhe vazhdim të rrugës evropiane të Shqipërisë.
"Pres më të mirën për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Të arrijë ato rezultate që populli kërkon, integrimin në Bashkimin Evropian. Presim marrjen e statusit kandidat".
"Pres të jetë qetësia e para, e dyta që biznesi të vazhdojë kështu siç është. Besoj se PD-ja do të fitojë", thonë qytetarët.
Procesi i sotëm zgjedhor në Shqipëri monitorohet nga rreth 9 mijë vëzhgues vendor dhe të huaj ndërsa për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar mbi 6200 forca policore. Benjamin Arifi
Comments