Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri kanë filluar në mënyrë tragjike. Një incident i rëndë është regjistruar në Laç, ku një person ka humbur jetën para qendërs së votimit. Viktima në Laç është komisioneri 52 vjeçar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Lajmin e ka konfirmuar edhe policia, ndërsa njoftoi edhe plagosjen e tre personave të tjerë, njëri prej të cilëve kandidat i partisë demokratike në zgjedhjet e sotme. Liderët e partisë socialiste Edi Rama dhe ai i Lëvizjes socialiste për integrim, Ilir Meta kanë dënuar ngjarjen e rëndë në Laç. Ata për këtë incident fajësuan kryeministrin Berisha, pasi sipas tyre nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar aktet e dhunshme.
"I them drejtorit të Policisë të ndahet përfundimisht nga ky flirt i patolerueshëm me forcat kriminale dhe ta ndajë policinë nga ky bashkëpunim duke e vënë në shërbim të qytetarëve dhe zgjedhjeve. Është një domosdoshmëri, sepse e kemi hasur këto orët e fundit një përpjekje të tillë, sepse ata e kanë kuptuar që edhe veriu do të vendosë bashkë me pjesën tjetër të vendit për ndryshim", tha Edi Rama, kryetar i PS-së.
"Sali Berisha duhet ta dijë mirë këtë histori, me bandit e me gjak nuk qëndron dot në pushtet, ne jemi këtu për të shmangur incidentet. Sali Berisha nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Ai nuk do të qëndrojë në pushtet me gjak. Nuk i mbron dot banditët e tij . ne kemi marrë të gjitha masat që në të gjithë Shqipërinë të votohet", deklaroi Ilir Meta, kryetar i LSI-së.
Rama e Meta thanë se policia është vënë në funksion të qeverisë, me qëllim manipulimin e zgjedhjeve. Ata u zotuan se nuk do të lejojnë që këto akte kriminale të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve. Ndërkohë kryeministri Berisha dënoi të gjitha llojet e dhunës ndërsa për incidentin në fjalë tha se do të prononcohet pasi të ketë informacione të mjaftueshme. Incident më të vogla janë regjistruar edhe në disa qytete tjera ndërsa në shënjestër kanë qenë disa ekipe të gazetarëve të cilët janë penguar në informimin mbi procesin zgjedhor. Benjamin Arifi
Comments