Nikovski: Integrimin e Maqedonisë e bllokon SHBA-ja!

  • 9 years ago
Integrimet e Maqedonisë nuk i bllokon Greqia por Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë akuzë ka dalë sot ish ambasadori Risto Nikovski në një konferencë për çështjet e sigurisë rajonale. Sipas tij, edhe vizita e fundit e Rikerit ishte në vazhdën e presioneve për ndërrimin e emrit të Maqedonisë.

"Nuk ka dilema se problemet me të cilat ballafaqohemi në integrimet tona në Bashkimin Evropian dhe NATO, janë "de facto" të bllokuara nga SHBA-të. Dëshmi më e mirë për këtë është edhe vizita e fundit e Rikerit në Maqedoni. Deri sa ishte ambasador nëpër gazeta dhe intervista, ai tha haptazi "ndërroni emrin dhe do t'u hapen të gjitha rrugët." Gënjeshtrat dhe manipulimet se do të ndërrojmë emrin dhe do të mbetemi ata që jemi, mendoj se nuk pinë ujë, dhe këtë e ka të qartë çdokush. Emri është pjesë e identitetit, pikërisht emri është identiteti ynë", tha Risto Nikovski, ish ambasador.

Nikovski, që njihet si analist i afërt me partinë në pushtet VMRO DPMNE, ka qenë ambasador në Shqipëri, Britani, Kinë dhe Rusi. Ai ka qenë edhe këshilltar i presidentit Ivanov, në kohën kur botoi librin e tij me frymë anti-amerikane dhe kritika ndaj Uashingtonit për politikën e tyre ndaj Maqedonisë. Nga ana tjetër, analisti Mersel Bilalli thekson se moszgjidhja e çështjes së emrit përkon kryesisht në mungesën e vullnetit politik të vetë kryeministrit Gruevski për të zgjidhur këtë çështje.

"Aspak nuk ka gatishmëri nga kryeministri dhe struktura rreth tij për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe gjithë ky arsyetim është vetëm mbulesë, maskë. Po të kishte vullnet politik që të zgjidhte emrin, ai nuk do ta dramatizonte situatën me shumë hapa me të cilat Greqisë i sjell pozicion të favorshëm për ta arsyetuar këtë situatë para bashkësisë ndërkombëtare", deklaroi Mersel Bilalli, analist.

Bilalli theksoi se autoritetet në Maqedoni duhet të marrin parasysh rekomandimet e zv/ndihmësit të sekretarit shtetëror amerikan që të ndiqet shembulli i arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Mersel Bilallit, çështja shqiptaro-serbe është shumë më e vështirë, dhe arritja e një zgjidhjeje me fitore për të dyja palët, për të dëshmon se kur ka vullnet politik nuk ka çështje të pazgjidhur. Benjamin Arifi

Recommended