Pamjet e regjistruara nga kamera e Alsat-M tani më janë të njohura për opinionin, e veçanërisht për banorët e fshatit Haraçinë që jetojnë rreth kanalit të hapur. Punimet sikur këto të sotmet disa herë kanë nisur mirëpo asnjëherë nuk kanë pasur një përfundim të mirë ashtu siç e kërkojnë banorët e këtij fshati vite me radhë. Banorët megjithatë shprehën se ndoshta tash është koha e fundit për realizimin e projektit për ndërtimin e kanalit.
"Sa i përket kanalizimit mendoj që tash është koha e fundit me përfundu, mu zgjidh ky problem se kjo moti është dashur të kryhet mirëpo secili i ka ato mendimet e veta, secili kryetar i ri thonte unë do ta kryej, unë do ta bëj po nuk ja ka arrit qëllim, mendojmë se kësaj radhe është fundi se ka sa vite që folët e folët dhe nuk është ndërmarr asgjë".
"Tash shpresojmë që kryetari, besojmë tek ai dhe mendoj se do të kryhet. Këtu jam qe 53 pranvera duke jetu në ketë rrugë, shumë na ka pengu, sidomos për nxënësit e shkollës, era nuk durohet. Krejt kanalizimet e fshatit çka derdhen prej fshatit Majancë dedhen këtu", thonë banorët.
Fillimin e realizimit të projektit e paralajmëroi ministri i ekologjisë Abdylaqim Ademi bashkë me kryetarin e Komunës Brahim Ajvazi. Ministri Ademi ishte i prerë në deklaratën e tij dhe tha se projekti i kanalit në gjatësi prej e kilometrave do të përmbyllet brenda 16 muajve me një investim që arrinë në afro 90 milionë denarë.
"Unë e thashë që sot në mënyrë zyrtare fillojnë punimet sepse ne kemi nënshkruar marrëveshje me kompaninë e cila duhet ti realizojë punimet dhe ne definitivisht ne sot fillojmë punën dhe shpresoj që pas një kohe të afërt ne do të vijmë dhe do të jemi dëshmitarë të punëve konkrete", deklaroi Abdylaqim Ademi, ministër i ekologjisë.
"Kjo është një punë për të cilën janë gëzuar të gjithë qytetarët për shkak se kjo ishte edhe një ndotje e ambientit se kalon për rreth shkollës ku janë të përfshirë 2 mijë nxënës dhe shtëpitë, thuajse mbi 500 shtëpi dhe mendoj se kjo është një e mirë për qytetarët e Komunës së Haraçinës", tha Brahim Ajvazi, kryetar i Komunës së Haraçinës.
Ndërtimi i kanalit në Haraçinë ka nisur që nga muaji gusht i vitit 2010 kur në vizitë ishte ish ministri i ekologjisë Nexhati Jakupi i cili kishte premtuar zgjidhjen e problemit para ish kryetarit të Komunës Basri Bajrami, por pa rezultat konkret.Vetëm një vit më vonë më 15 tetor të vitit 2011 kanalin e vizitoi ministri i tanishëm i ekologjisë Abdylaqim Ademi i cili në prononcimin e tij ka thënë se viti 2012 është viti kur ky kanal do të jetë tërësisht i rregulluar. Melihate Rustemi
Comments