Ohër, Serbia bojkoton konferencën e ministrave të mbrojtjes

  • 9 years ago
Konferenca "Bashkë për Paqen dhe Sigurinë Globale" bëri bashkë sot ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, përfaqësues të shteteve vëzhguese, si dhe ambasadorë e zyrtarë të NATO-s. Kosova në këtë samit ishte gjithashtu e ftuar nderi, dhe u përfaqësua nga ministri Agim Cejku. Ndërsa Serbia, në momentin e fundit anuloi pjesëmarrjen e saj. Talat Xhaferi, nikoqiri i konferencës tha se arsyet e mos pjesëmarrjes së Serbisë, vetëm zyrtarët serbë mund t'i dinë, megjithatë, ai theksoi se konferenca ishte një sukses për grupin A5.

"Ritheksuam nevojën e bashkërenditjes së veprimeve dhe masave të nevojshme rajonale në aktivitetet tona për të pas kapacitete të përbashkëta, për të siguruar siguri të përbashkët të qytetarëve tonë, të rajonit dhe më gjerë. Për fat të keq nga Republika e Serbisë, në moment të fundit vendosën të mos jenë pjesë e kësaj konference, për arsye të cilat ata vetë i kanë të njohura", tha Talat Xhaferi, ministër i mbrojtjes.

Për ministrin e mbrojtjes së Kosovës Agim Çejku, konferenca ishte një rast i mirë për Kosovën, për të shpalosur publikisht politikat e mbrojtjes, sigurisë, synimet e saj, gatishmërinë dhe vullneti për të kontribuar në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë. Edhe ambasadori amerikan theksoi se vendet duhet të qëndrojnë krahë për krahë në misionin e tyre, integrimin në NATO.

"Grupi A5 araqet një grup solid për koordinimin aktiv sepse fillimisht ishte grupi A3; Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni që koordinonin aktivitetet e tyre. Këtu hynë edhe dy vende; që paraqet avancim të Kartës së Adriatikut. Sot edhe mbrëmë ishte një mundësi e mirë për bisedime se si të përmirësohet dhe koordinohet ky format, për ta arritur synimin përfundimtar, integrimin në NATO", deklaroi Pol Uollers, ambasador i SHBA-së.

Shqipëria në këtë konferencë përfaqësohej nga zv/ministrja Arta Musaraj. Njëzëri, në konference u shpalos ideja se vendet e Ballkanit duhet të bashkëpunojë më ngushtë në nismat rajonale, për të treguar gatishmërinë e tyre për inkuadrim në NATO e BE. Durim Etemi

Recommended