Komisioni hetimor, nesër zyrtarisht starton me punë

  • 9 years ago
Komisioni hetimor për ngjarjet e 24 dhjetorit nisi sot punën, 6 muaj pas incidenteve në kuvend që e çoi vendin në një krizë politike. Në prani të presidentit Gjorge Ivanov komisioni mbajti mbledhjen e parë konstituive për koordinimin e dinamikës së punës së tij. Sipas kreut të Komisionit Borçe Davitkovski, ekziston vullnet politik për zgjidhjen e kësaj çështje e cila do të përmirësojë pasqyrën politike si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe do të mundësojë zhvillimin e dialogut politik në vend.

"Prej nesër fillojmë me seriozitet të punojmë për të analizuar zhvillimet e 24 dhjetorit në pajtim me kahet që na janë dhënë, përmes marrëveshjes që është rritur mes partive politike dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Kemi afat prej 60 ditësh që të përfundojmë punën. Shpresojmë se do ta mbarojmë punën brenda afatit. Ne do vërtetojmë fakte, nuk do të sjellim konkluza politike, ajo nuk është punë e jona, ne jemi ekip ekspertësh", tha Borçe Davitkovski, kryetar i Komisionit hetimor.

Davitkovski, në cilësinë e kreut të Komisionit ka hartuar tashmë draft-rregulloren e dinamikës së punës, e cila do t'u prezantohet nesër edhe përfaqësuesve të partive politike. Ndërkohë sa i përket vendimmarrjes, nëse do të bëhet me shumicë votash apo me konsensus, Davitkovski nuk deshi të paragjykonte, por u shpreh se në rregulloren për punën e komisionit ka parashikuar edhe çështje.

"E di që ka pozicione të ndryshme, prandaj po përsëris se ekziston një rregullore, të cilën supozoj se do ta votojmë nesër. Kam edhe alternativa, edhe njërën edhe tjetrën, do ta shohim, besoj se do merremi vesh. Mendoj se do të gjejmë një zgjidhje të përbashkët", deklaroi Borçe Davitkovski, kryetar i Komisionit hetimor.

Krahas Davitkovskit si kryetar i Komisionit, në përbërje janë edhe Bllagorodna Duliç dhe Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-ja, si dhe Lubomir Fërçkovski dhe Renata Sekovska, nga LSDM-ja. Bedri Rexhallari

Recommended