Skip to playerSkip to main content
  • 10 years ago
Javën e ardhshme, Këshilli për Radiodifuzion do të marrë në shqyrtim transmetimin e paligjshëm të MTV-së në platformën analoge. Zv/kryetari i KRD-së Milaim Fetai ngriti një çështje të tillë në seancës e sotme, ku i kërkoi anëtarëve të tjerë që çështja e konkurrencës së pandershme në hapësirën mediatike, të debatohet.

"Duke marrë parasysh se dy javët e fundit kemi një gjendje e cila është joadekuate, prej fillimit të vendosjes së sinjalit digjital dhe ndërprerjes së atij analog, ndoshta do të ishte e arsyeshme që të vendosim në rend dite pikën për situatat që po ndodhin me vazhdimin e transmetimit në sinjal analog, të shërbimit publik. Për këtë kemi marrë ankesa të shumta nga mediat e tjera", tha Milaim Fetai, zëvendës-kryetar i KRD-së.

Kryetari i KRD-së Zoran Trajçevski pranoi sugjerimin dhe garantoi se çështja do të vihet në rend dite në seancën e radhës. Deri atëherë duhet të përgatiten të gjitha materialet e nevojshme dhe të kërkohen sqarimet nga TVM-ja.

"Unë propozoj t'i dërgojmë një shkresë ndërmarrjes publike Televizioni i Maqedonisë, që të na thonë se cilët repetitorë janë fikur, e cilët transmetues vazhdojnë ende të transmetojnë në mënyrë analoge. Dhe, në rast se është ashtu, cilat janë arsyet për këtë. Kjo shkresë të dërgohet sot, ndërsa seanca e radhës është të martën", deklaroi Zoran Trajçevski, kryetar i KRD-së.

Në kundërshtim me ligjet, TVM-ja vazhdon ende transmetimin e sinjalit analog. Edhe pse autoritetet nguteshin, e madje kërcënonin për mos respektim të ligjit të dixchitalizimit, që nga 1 qershori, tani ato e lejojnë MTV-në ta shkel ligjin me të dyja këmbët. Përveç sinjalit në platformën digjitale, TVM-ja vazhdon të transmetojë edhe në analog, dhe madje, të shfaqet para publikut me të dhëna të rrejshme, se posedon shikueshmëri më shumë se mediat e tjera, pa treguar arsyen e vërtetë që ajo transmeton në mënyrë të paligjshme edhe në analog. Autoritetet nuk duan të komentojnë, dhe duket se janë palë e kësaj shkelje, si ministria për Shoqëri Informatike ashtu edhe Agjencia për Komunikime Elektronike e cila është përgjegjëse për rregullimin e hapësirës mediatike. Alsat M vazhdon të kërkojë sqarime nga autoritetet, se deri kur do të tolerohet puna e tillë e TVM-së. Natasha Stojanovska

Category

📺
TV
Comments

Recommended