Qendër, normalizohet puna e Këshillit

  • 9 years ago
Mbledhja e këshillit të Komunës Qendër vazhdopi sot pa tensione dhe protesta, edhe pse dritaret e sallës ku mbahej mbledhja ishin siguruar me rrjeta mbrojtëse. Një ditë më parë, në shenjë revolte, protestuesit thyen xhamat. Fillimi i seancës u shoqërua me shumë ndërhyrje procedurale, kryesisht nga këshilltarët e VMRO DPMNE-së. Ata ishin kundër debatit për buxhetin e komunës, kur nga ana tjetër, ndryshimi i planit urbanistik është çështje më shqetësuese për këtë komunë. Pas një pauze prej gati një ore, këshilltarët më në fund arritën marrëveshje që sot të debatohet vetëm rebalanci i buxhetit, duke shtyrë kështu pikat e tjera të rendit të ditës, për në mbledhjen e radhës.

"Grupet arritën marrëveshje që sot të debatohet vetëm rreth pikës 7, rebalancit të buxhetit. Ndërkohë, debati rreth katër pikave të tjera nga rendi i ditës, anulohet! Materialin e propozuar për seancën e 6-të e tërheq dhe vlerësohet se seanca e 6-të nuk është caktuar, kështu që vazhdojmë debatin rreth buxhetit", deklaroi Mirosllav Shipoviq, Kryetar i Këshillit të Komunës Qendër.

Ndërkohë përfaqësuesit e lëvizjes qytetare "Veritas" sot u takuan me inspektorin e vetëqeverisjes Lokale Vanço Shehtanski, nga i cili morën garancinë se Kisha në Qendër nuk do të rrënohet.

"Sot protestat nuk do të vazhdojnë, ashtu siç thashë, ne përdorëm të gjitha mjetet, protestën, e deri tek ndikimi tek institucionet... prej tyre morëm garanci se do të veprojnë ashtu siç duhet. Kërkesa jonë është që të vërtetohet kushtetutshmëria e vendimit që sot duhet të miratohet, në rast se ky vendim është jo-kushtetues atëherë duhet të anulohet", tha Suzana Minovska, përfaqësuese e Veritas.

"I bëjmë thirrje Zhernovskit, se kjo është vetëm një grimcë e revoltës së qytetareve kundër qëllimeve të tij jo të mençura. Në të kundërt, ai do të ballafaqohet me revoltë më të madhe, po që se është e nevojshme edhe me mburojë të gjallë njerëzore do e mbrojmë kishën", u shpreh Sonja Zashevska përfaqësuese e Veritas.

Protestat e lëvizjes qytetare 'Veritas" tani për tani janë ngrirë, por ata thonë se protestat do të rifillojnë nëse Komuna tenton të miratojë Planin Urbanistik. Bedri Rexhallari

Recommended